Jusuf Azemi për grevën e punëtorëve të UP-së: Po na bëjnë presion për ta ndalur grevën

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, është takuar të hënën, më 26.02.2024, me punëtorët grevistë të  Universitetit të Prishtinës dhe të Qendrës së Studentëve për të diskutuar për ecurinë e grevës.

Greva e këtyre punëtorëve ka nisur nga data 16.02.2024.

Ata janë të pakënaqur me pagat. Sipas tyre, ata marrin rrogë deri në 300 euro, e cila nuk i plotëson nevojat e tyre.

Ndërkaq, kërkesa e tyre është që të kenë pagë në vlerë 400 euro.

Ata premtojnë se nuk do ta ndalin grevën deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Pas kësaj mbledhjeje, Azemi ka njoftuar se grevistët janë duke pasur presion nga drejtuesit e kompanive për ta ndalur grevën.

Këta punëtorë të sektorit privat punojnë përmes kompanive që kontraktohen nga UP për ofrim të shërbimeve.

Përveç kësaj, Azemi ka numëruar edhe një prej shkeljeve që, sipas tij, po e kryen kompania që operon në Qendrën e Studentëve.

Ndërsa, Zarife Kozhani, punëtore teknike në Fakultetin Filozofik, më 26.02.2024, ka thënë se grevën do ta vazhdojnë, mirëpo nuk është se kanë pranuar ndonjë kërcënim sa i përket vazhdimit të grevës.

“Ne po vazhdojmë me grevën, prej të premtes po bëhen afro 10 ditë që jemi në grevë edhe do të vazhdojmë deri në plotësimin e kushteve tona. Jo, nuk kemi pasë kurrfarë kërcënimi veçse kemi parë disa studentë me vetiniciativë që kanë pastru para Fakultetit Filozofik” – ka deklaruar Kozhani.

Azemi ka theksuar se të gjitha shkeljet i ka raportuar në Inspektorat të Punës.

“Janë duke bërë thyerje në aspekt me ligjin e grevës, megjithatë ne e kemi njoftuar Inspektoratin e Punës. Ne do të qëndrojmë, pa qoftë ajo edhe jashtë këtyre institucioneve, qoftë në borë edhe në shi, punëtorët janë shumë të vendosur që vetëm realizimi i kërkesave të tyre i kthen në punë” – ka thënë Azemi.

KALLXO.com e ka pyetur Inspektoratin e Punës në lidhje me këto raportime, mirëpo nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Përveç vazhdimit të grevës, Azemi ka shtuar se punëtorët mund ta lëshojnë vendin e tyre të punës.

“Nuk mund të pranojnë këta punëtorë pagë 320 euro me një kontratë trivjeçare. Nëse nuk e realizojmë, po themi kërkesën tonë, në mënyrë kolektive do t’i lëshojmë vendet tona të punës” – është shprehur ai.

Azemi pretendon se kompania që operon në Qendrën e Studentëve po sjell punëtorë të tjerë në vend të grevistëve.

“O ka me funksionu ligji për grevën, o në fakt nuk ka nevojë me ekzistu Inspektorati i Punës sepse pikërisht ata për këtë janë të thirrur. E ka të ndaluar rreptësisht çdo epror punëtorit gjatë kohës së grevës t’i bëjë presion. Neve po na bëjnë presion. Neve në Qendrën Studentore në moment kur grevistët po shkojnë në shtëpi, që e kanë kohën për të shkuar në shpi, kompania po i bie punëtorët e tjerë” – ka përmendur ai.

KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë kompaninë që operon në Qendrën e Studentëve në lidhje me pretendimet e Azemit, mirëpo e njëjta nuk ka qenë e qasshme.

KALLXO.com ka raportuar për hapësirat e papastra në fakultete si pasojë e grevës.

Sekretari i Universitetit të Prishtinës, Besfort Krasniqi, në një përgjigje për KALLXO.com më 20.02.2024 ka dhënë detaje për rritjen e vlerave të kontratave të reja që pritet të nënshkruhen së shpejti, pas skadimit të kontratave aktuale. 

Siç ka thënë sekretari, kontratat në fjalë, të lidhura më 10.03.2021 dhe më 31.03.2021 janë 3-vjeçare.

Në kontratat e ardhshme, UP ka rritur vlerat e parashikuara të kontratave për 780 mijë euro, përkatësisht 300 mijë euro për sigurimin fizik të objekteve dhe 480 për pastrim dhe mirëmbajtje.

Mirëpo, për shkak se janë shtuar hapësirat dhe shërbimet e nevojshme, Krasniqi tha se parashihet edhe numër shtesë i punëtorëve e i orëve shtesë të shërbimit, gjë që ndikon në mundësitë e rritjes së pagave.

“Prandaj, edhe këta parametra nuk kanë lënë hapësirë për ngritje më të madhe të lartësisë së minimumit të pagës bruto, pasi kjo do të ndikonte pastaj në rritjen edhe të vlerës së parashikuar të kontratës” – ka thënë Krasniqi.

Më tej, ai tregoi se pagat bruto aktuale të nëpunësve dhe ato që parashihen të jenë më kontratat e reja. Pagat e rojeve parashikohet të jenë 322 euro, nga 280 aktualisht, të pastruesve 320 nga 280, e mirëmbajtësve 395 nga 320 dhe e kryepunëtorëve 500 nga 350.

Numri i nëpunësve për pastrim dhe mirëmbajtje, sipas kontratës aktuale është 161, ndërkaq sipas kontratës së propozuar do të jetë 184.