Punëtorët fizikë e teknikë të Universitetit të Prishtinës në grevë më 16.02.2024

Përveç punëtorëve teknikë edhe punëtorët e sigurimit fizik në UP vazhdojnë grevën

Përfaqësuesi i punëtorëve të sigurimit fizik në Universitetin e Prishtinës, Arsim Gjinovci ka konfirmuar për KALLXO.com se ai dhe kolegët e tij do ta vazhdojnë grevën që e kanë nisur më 16.02.2024.

KALLXO.com ka raportuar më parë se punëtorët teknikë dhe të mirëmbajtjes në UP  kanë vazhduar grevën më 21.02.2024.

Ata janë të pakënaqur me pagat. Sipas tyre, paga e tyre është deri në 300 euro dhe nuk i plotëson nevojat elementare për jetesë.

E njëjta gjendje është edhe me punëtorët e sigurimit fizik, mirëpo këta të fundit të mërkurën, më 21.02.2024, e kanë ndërprerë grevën për një kohë, pasi kanë mbajtur një mbledhje me kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi.

Sipas Gjinovcit, në këtë mbledhje kanë marrë pjesë rreth 40 punëtorë fizikë, ku kanë biseduar nëse do të dalin nga greva.

“Deri më tani ishim në takim edhe nuk arritëm kurrfarë marrëveshje. Punëtorët s’dojnë me dal prej greve, shkaku që paga bazë nuk po lëvizë. Tash jemi hi me punëtorët e pastrimit, d.m.th. kur dalim, dalim dy parët prej greve” – ka deklaruar Gjinovci për KALLXO.com.

Kërkesa e tyre është që të rritet paga deri në 400 euro apo edhe mbi këtë vlerë.

Ndërkaq kontratat e tyre, sipas Gjinovcit, skadojnë më 01.04.2024.

Kurse kërkesa e punëtorëve teknikë është që të marrin pagë së paku 405 euro në muaj, për shkak të rritjes së çmimeve.

Grevistët kanë thënë për KALLXO.com se greva do të vazhdojë edhe të enjten, më 22.02.2024, ndërsa pas kësaj date do të shohin se si do të vazhdojnë.

Këta punëtorë të sektorit privat punojnë në kompanitë e kontraktuara nga UP për ofrim të shërbimeve.

Në anën tjetër, sekretari i Universitetit të Prishtinës, Besfort Krasniqi, në një përgjigje për KALLXO.com më 20.02.2024 ka dhënë detaje për rritjen e vlerave të kontratave të reja që pritet të nënshkruhen së shpejti, pas skadimit të kontratave aktuale. 

Siç ka thënë ai, kontratat e lidhura më 10.03.2021 dhe më 31.03.2021 janë 3-vjeçare.

Në kontratat e ardhshme, UP ka rritur vlerat e parashikuara të kontratave për 780 mijë euro, përkatësisht 300 mijë euro për sigurimin fizik të objekteve dhe 480 për pastrim dhe mirëmbajtje.

Mirëpo, për shkak se janë shtuar hapësirat dhe shërbimet e nevojshme, Krasniqi tha se parashihet edhe numër shtesë i punëtorëve dhe i orëve shtesë të shërbimit, gjë që ndikon në mundësitë e rritjes së pagave.

“Prandaj, edhe këta parametra nuk kanë lënë hapësirë për ngritje më të madhe të lartësisë së minimumit të pagës bruto, pasi kjo do të ndikonte pastaj në rritjen edhe të vlerës së parashikuar të kontratës” – ka thënë Krasniqi.

Më tej, ai tregoi për pagat bruto aktuale të nëpunësve dhe për ato që parashihen të jenë më kontratat e reja. Pagat e rojeve parashikohet të jenë 322 euro, nga 280 aktualisht, të pastruesve 320 nga 280, të mirëmbajtësve 395 nga 320 dhe të kryepunëtorëve 500 nga 350.

Numri i nëpunësve për pastrim dhe mirëmbajtje, sipas kontratës aktuale është 161, ndërsa sipas kontratës së propozuar do të jetë 184.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi më 20.02.2024 tha se këta punëtorë do të jenë në grevë deri të enjten, më 22.02.2024.