Ajri i ndotur në Fushë-Kosovë - Foto: KALLXO.com
Nga e Mërkura u Ndalohet Veturave Hyrja në Prishtinë
Plani i Komunës së Prishtinës, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, i cili parasheh pengimin e futjes së veturave në kryeqytet do të fillojë të zbatohet të mërkurën.
Në një konferencë për media, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, tha se të mërkurën që nga orët e hershme të mëngjesit do të fillojë zbatimi i planit.
“Ne do të fillojmë implementimin e planit që nga dita e pasnesërme në orën 06:00 të mëngjesit, parandalimin e makinave në qytet”, tha Pacolli.
Ai shtoi se janë edhe disa pika të tjera të cilat do të ndalohen.
“Po ashtu do të bëjmë ndalimin e shitjes së lëndëve djegëse, ndërsa inspektorët komunalë janë në terren dhe janë duke verifikuar gjendjen”, tha Pacolli më tutje.
Kjo konferencë e jashtëzakonshme u thirr pas alarmit të emergjencës për nivelin e ndotjes së ajrit.
Nga sot, KALLXO.com do t’i publikojë fotografitë e dërguara nga qytetarët në të cilat dëshmohet përdorimi i qymyrit për ngrohje nëpër institucione, biznese apo shtëpi private.