Marrëveshja për hekurudhat | Foto: KALLXO.com

Nënshkruhet Marrëveshja Milionëshe për Rehabilitimin e Hekurudhave

Sot u nënshkrua marrëveshja për rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10 të Kosovës ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave Bedri Hamza dhe drejtoresha e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim Charlotte Ruhe.

Ministria Hamza në këtë konferencë tha se kostoja e këtij projekti kap vlerën 195,5 milionë euro.

“Linja që lidh dy drejtimet me BE do të realizohet nga BE, BERZH dhe Banka e Investimeve Europiane. Kostoja e financimit është 195,5 milionë euro”, tha Hamza.

Ai po ashtu tregoi se ky projekt do të realizohet në tri faza.

“ Faza e parë e projektit përshkon 64 kilometra nga Hani i Elezit deri në Fushë-Kosovë, BE do të financojë 35,8 milionë, BERZH dhe Banka Europiane me 19 milion euro”, tha Hamza.

Ndërsa drejtori gjeneral i Komisionit Europian për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim Christian Danielsson tha se kjo linjë hekurudhore do të mundësojë lidhje më të mirë dhe mundësi më të mira për njerëzit.

“Kemi nënshkruar një kontratë që ka të bëjë me ndërlidhshmërinë e hekurudhës nga Prishtina në jug. Kjo është pjesë e ndërlidhshmërisë me Ballkanin Përendimor”, tha Danielsson.

Në këtë konferencë mori pjesë edhe Charlotte Ruhe nga BERZH, e cila tha se kjo marrëveshje ka thelluar bashkëpunimin me Kosovën, me donatorët dhe me BERZH-in.

Ndërsa ministrja e Integrimeve Europiane Dhurata Hoxha në këtë konferencë tha kjo marrëveshje është një dhuratë e mirë për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

“Afrimi me Bashkimin Europian nuk është vetëm anëtarësimi, por çdo ditë të punojmë që të kapin vlerat dhe reformat evropiane”, tha Hoxha.