Nënshkruhet marrëveshja për efiçiencë të energjisë në 47 ndërtesa publike në Prishtinë
Ministria e Financave me përkrahjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), ka nënshkruar marrëveshje me Komunën e Prishtinës, për efiçiencë të energjisë në 47 ndërtesa publike në Prishtinë.
Projekti përfshin kopshte, shkolla dhe qendra të kujdesit shëndetësor dhe në total projekti do të kushtojë rreth 6 milionë euro.
Ministri Hekuran Murati tha se projekti ka për qëllim kursimin e energjisë, duke zëvnedësuar dyert dhe dritaret e ndërtesave, si dhe izolimin termik të tyre.
“Është marrëveshja për efiçiencë të energjisë për ndërtesat publike në Prishtinë, që ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturës së brendshme të ndërtesave publike në Prishtinë, duke garantuar sistemet e ngrohjes të cilat janë më efiçiente, pra që mundësojnë kursimin e energjisë dhe në të njejtën kohë përkojnë edhe me standardet ndërkombëtare” – tha Murtati para gazetarëve.
Ai tha se ky projekt vjen si vazhdimësi e mbështetjes për komunat, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Murati po ashtu tha se Ministria e Financave në nëntor ka nënshkruar një marrëveshje tjetër në vlerë prej 13.2 milionë euro për trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë, duke e rritur vlerën e grantit të përgjithshëm për këtë qëllim në 42 milionë euro.
“Marrëveshja e sotme për grant kap vlerën e mbi 1 milionë euro, ndërsa së bashku me marrëveshjen që kishim nënshkruar më herët për kredi e cila edhe është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës e bënë vlerën totale të këtij investimi në 6 milionë euro që do të shkojnë në efiçiencë të ndërtesave në Prishtinë”.
Ministri Murati tha se një marrëveshje e tillë së shpejti do të nënshkruhet edhe me Komunën e Prizrenit, duke synuar që projekte të tilla të bëhen në gjithë Kosovën.