Suhra Maliç në shtëpinë e saj Srebrenicë. Foto: BIRN.

Nëna nga Srebrenica Kujton Djemtë e Saj të Humbur

Suhra Maliç mezi rrinte në këmbë kur na përshëndeti, por na priti në shtëpinë e saj dhe na tha të shikonim fotografitë që mbante në duart e saj të moshuara.

Në fotografi ishin dy burra – Suad dhe Fuad Maliç – dy djemtë e saj që vdiqën 21 vite më parë, humbjen e të cilëve ajo s’e kapërcen dot kurrë.

“Falë Zotit, jam një nënë më e vogël Srebrenice, duke qenë se kam edhe djem të tjerë, nipa e mbesa, një nuse dhe një dhëndër. Vuaj më pak sepse ka nga ato që tani nuk kanë asnjë,” tha 80-vjeçarja Maliç, e cila i humbi dy djemtë e saj në gjenocid.

Ajo fërkon fotografinë si të ishte duke i përkëdhelur ata dhe kujton se para luftës, kishte pesë fëmijë, të cilët kryesisht i rriti vetëm, duke qenë se bashkëshorti i saj, i cili tashmë ka vdekur, punonte në Irak dhe Libi.

Kur forcat serbe të Bosnjës pushtuan enklavën e mbrojtur nga OKB-ja të Srebrenicës në korrik të vitit 1995, familja e saj jetonte në fshatin aty pranë të Potocarit.

“Gruaja e djalit tim Fuadit sapo kishte lindur. Më 11 korrik 1995, banorët e Srebrenicës filluan të vinin në Potoçari. Kudo ishte plot me njerëz. Nuk e dinim se çfarë do të ndodhte dhe kudo përreth kishte shumë njerëz,” tha Maliç, duke bërë me dorë në drejtim të dritares së saj.

Ajo tha se djali i saj Fuadi, i cili në atë kohë ishte një inxhinier ndërtimi 36-vjeçar, u përpoq të qetësonte situatën. Megjithatë, Fuadi dhe vëllai i tij Suadi, më pas vendosën të arratiseshin me burrat e tjerë përmes pyjeve në përpjekje për të qenë të sigurt në territorin nën kontrollin e Ushtrisë Boshnjake, rreth 100 kilometra larg.

“Ata shkuan në Susnjari dhe përmes Buljimit… Ikën. Djali im i vogël Suadi, tha: “Kujdesu për djalin tim Dzevadin, nënë. Po ta besoj ty dhe askujt tjetër.” Djali ishte vetëm gjashtë muajsh. Nuk i pashë më kurrë,” kujton Maliç me sytë e mbushur me lot.

Pasi bijtë e saj u larguan, ajo shkoi me pjesën tjetër të familjes së saj në një fabrikë pranë akumulatorit, ku ishin mbledhur boshnjakët, duke shpresuar se do të ishin më të sigurt nëse rrinin bashkë.

Por më pas mbërritën forcat serbe, i ndanë burrat dhe ngarkuan gratë, fëmijët dhe të moshuarit nëpër autobusë që do t’i çonin ato në territorin e kontrolluar në Ushtria Boshnjake. Burrat u morën që aty dhe u vranë.

“Zemërohem kur sot thonë: “Njerëzit lëvizën vet. Nuk i detyruam ne.” Ata na futën me dhunë nëpër autobusë. Më pas na ndaluan dhe na kërkuan paratë. Një fëmijë tha: “Mama, shpresoj të jetojmë”. U afrua të shalli i mamasë së tij, mori paratë dhe na lanë të kalonim,” rikujton Maliç.

Ajo tha se autobusët u ndaluan disa herë nga ushtarët të cilët u kërkuan të holla.

“Na thanë ta bënim në këmbë një pjesë të rrugës. Të moshuarit mezi ecnin,” shtoi ajo.

Në fund, Maliç arriti të mbërrinte në territorin e kontrolluar nga Ushtria Boshnjake, por dy djemtë e saj nuk mbërritën kurrë. Ajo vazhdoi të shpresonte për vite me radhë se ata do të ktheheshin tek ajo.

Kur më në fund ndaloi së shpresuari se ata ishin ende gjallë, filloi të shpresonte që eshtrat e tyre të mund të gjendeshin e në këtë mënyrë të mund t’i varroste.

Dy vite më pas, në vitin 1997, ajo u rikthye në Srebrenicë për herë të pas që pas vrasjeve. Dëshira e saj e vetme ishte të mësonte se çfarë u kishte ndodhur djemve të saj.

“Ishte një djalosh serb. Kujdesesha për të kur ishte më i vogël. Ai më kërkoi kur mori vesh se isha kthyer,” tha ajo.

“Më tha se kishte varre pranë shtëpisë së Huremit dhe më bëri të premtoja se s’do ta tregoja kurrë emrin e tij. Më tha se atje kishte një mijë trupa.”

Varri u gjet, por trupat e djemve të saj jo. Të mbijetuarit e masakrës më pas i thanë se Fuadi ishte vrarë në Kravica, kur më shumë se 1,000 boshnjakë ishin vrarë në një ekzekutim masiv në një depo bujqësore.

“Suadi u gjet në Lipanj, pranë Tuzlës. Nuk e di se ku ishte vrarë. Një burrë më tha se ai ishte plagosur në pyll,” tha ajo.

Maliç ende jeton edhe sot në fshatin Potocari. Memoriali i gjenocidit të Srebrenicës ku janë varrosur shumë viktima duket nga dritarja e saj.

Ajo thotë se dhimbja është tepër e madhe për ta përshkruar.

“Të dhemb trupi, shpirti vuan… E tillë është jeta ime,” tha ajo. “Djemtë e mi s’mund të kthehen më.”