Vendi ku vdiq Xheneta Gashi | Foto: KALLXO.com

Në Prizren të Mërkurën Kërkohet Dorëheqja e Mujës

Këto organizata dorëheqjet e kryetarit të Prizrenit dhe ministrave të kulturës e ambientit do t’i kërkojnë me anë të protestës pas vdekjes së fëmijës Xheneta Gashi nga shembja e një objekti në Qendrën Historike të Prizrenit.

Gashi vdiq më 6 qershor pas plagëve që mori nga kjo shembje.

Organizatat në një njoftim treguan kohën dhe vendin e mbajtjes së protestës.

“Ftohen të gjithë qytetarët e Prizrenit dhe Kosovës në protestën për të kërkuar llogari nga institucionet lokale dhe qendrore për vdekjen e trevjeçares Xheneta Gashi në fillim të javës në Prizren. Protesta do të mbahet më 15 qershor 2016, e mërkurë, në Sheshin ‘Shadërvan’ të Prizrenit dhe fillon në orën 12.00 (mesditë),” thuhet në njoftimin e 10 organizatave.

Këto organizata treguan në njoftim edhe kërkesat e tyre.

“Protesta qytetare do t’i ketë dy kërkesa: dorëheqjen e Kryetarit të Komunës së Prizrenit dhe dy ministrave të qeverisë së Kosovës, atij të kulturës dhe atij të planifikimit hapësinor, si dhe ndjekjen penale të të gjithë përgjegjësve institucionalë që me mosveprimin e tyre shkaktuan tragjedinë,” thuhet në njoftim.

Protesta pritet të organizohet nga Autostrada Biennale, DokuFest, EC Ma Ndryshe, Fondacioni Legatum, Fondacioni Lumbardhi, Fondacioni Trashëgimia Kulturore pa Kufij, Institute for Sustainable Development of Youth, Instituti Demokratik i Kosovës, Organizata e Personave me Distrofi Muskulare, X40 – 40 Bunar.

Pas vdekjes së Xheneta Gashit, dorëheqjen e kryetarit dhe dy ministrave i kërkoi më 6 qershor njëra nga organizatoret e protestës-organizata “Ec Ma Ndryshe”.

Kërkesën për dorëheqjen e Mujës e komentoi për KALLXO.com më 7 qershor Ymer Berisha, zëdhënësi i Komunës së Prizrenit dhe këshilltari politik i Kryetarit të Prizrenit.

Berisha tha para 4 ditësh se “’Ec ma Ndryshe’ dëshiron të ndërtojë komunikatë në një fatkeqësi’”.

Por Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nuk e komentoi fare kërkesën e “Ec ma Ndryshe” për dorëheqjen e ministrit të kulturës.

http://kallxo.com/faji-jetim-per-vdekjen-e-katervjecares-ne-prizren-2/