Pamje nga Kampionati Shtetëror i Karatesë "Tokyo 2020" - Foto: Komuna e Mitrovicës

Në Mitrovicë u Mbajt Kampionati Shtetëror i Karatesë ‘Tokyo 2020’

Në ambientet e Palestrës së Sporteve “Minatori” në Mitrovicë, nën patronatin e Federatës së Karatesë së Kosovës, është organizuar për herë të parë Kampionati Shtetëror i Karatesë “TOKYO 2020”.

Komuna e Mitrovicës përmes një komunikate ka njoftuar se ky organizim është bërë për karateistët kadetë, juniorë dhe seniorë.

Në këtë eveniment morën pjesë përfaqësues nga Federata e Karatesë së Kosovës.

Ndërsa përveç mysafirëve të tjerë si dhe garuesve të grupmoshave të ndryshme, pjesë e këtij organizimi ishin edhe kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gerxhaliu, kampioni botëror i karatesë Enver Idrizi,  anëtarë të federatës së Maqedonisë e të Shqipërisë.

Me medalje të arta në këtë kampionat u shpërblyen: Rigon Baruti, Arlind Aliu si dhe Albin Merovci.

Ndërsa me medalje të bronzta u shpërblyen: Ensar Jashari, Kushtrim Mulaku dhe Armend Smaili.

Ndërsa, klubi i karatesë “Mitrovica” u radhit ndër katër klubet më të suksesshme të këtij kampionati, njofton Komuna.