Gjykimi i zyrtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit - Foto: KALLXO.com

Në Gjyqin e Hysni Hoxhës, Kompanitë Nuk Ndihen të Dëmtuara

Pronari i “Beni-Construction”, Arben Shahini, tregoi se kur i lindi dyshimi për ndonjë keqpërdorim të mundshëm rreth tenderit.

“Menjëherë pas shpalljes se kompanisë fituese kërkuam dokumentacionin e kompanisë fituese për ta krahasuar me kriteret të cilat ishin të parapara për t’u plotësuar. Njëri nga kriteret ishte numri i 30 punëtorëve, i cili nuk përputhej me ato që i posedonte kompania”, tha Shahini.

Në pyetjen e trupit gjykues se a ndihet palë e dëmtuar, Shahini tha se kompania nuk ndihet palë e dëmtuar.

Ndërsa dëshmitari tjetër Reshat Kamberi, pronar i N.N.P. ”Engineering”, që doli e dyta në këtë proces të tenderimit, tregoi se për çfarë arsye nuk e fituan tenderin.

“Në bazë te vlerësimit te autoritetit kontraktues neve na kanë largu nga procesi i tenderimit, me arsyetimin se certifikata e TVSh ka qenë me vulë të UNMIK-ut edhe pse numri i saj nuk kishte ndryshuar”, tha Kamberi.

Po ashtu, edhe Kamberi u deklarua se kompania e tij nuk është e dëmtuar në këtë proces të tenderimit.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit Hysni Hoxha dhe Hysni Muhadri, më datën 20 qershor 2013, në Prishtinë, në cilësinë e personave zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me dashje direkte dhe me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie kompania “Conex Group”, sh.p.k. Prishtinë, në aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i lokaleve afariste në Qytezën Pejton”, të iniciuar nga autoriteti kontraktues – Ndërmarrja Publike Banesore në Prishtinë, i kanë tejkaluar kompetencat e tyre, si dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare të tyre.

Ata akuzohen se duke i fshehur provat e siguruara nga ATK-ja para dy anëtarëve tjerë të panelit shqyrtues të drejtuar nga Hysni Hoxha, ku në mungesë të këtyre provave anëtarët e panelit bien në lajthim dhe refuzojnë ankesën e operatorit ekonomik ankues, me ç’rast kompanisë “Conex Group” i kanë sjellë dobi materiale në shumë prej 1.779.759,54 euro.

Ndërsa Arsim Robelli, në cilësinë e ofruesit të shërbimeve të kontabilitetit përmes biznesit “Es – Services” për biznesin “Conex Group”, me qëllim të realizimit të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për biznesin “Conex Group”, në bashkëkryerje dhe me dashje përpilojnë dhe përdorin dokumentet e falsifikuara dhe atë raportet e kontributeve për punëtorët e biznesit “Conex Group” për periudhat tremujore TM-4 2010 dhe TM-4 2011, ku të njëjtat i dorëzojnë në aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i lokaleve afariste në Qytezën Pejton”, ku si rezultat i përdorimit të këtyre dokumenteve kompania “Conex Group” është trajtuar si operator i përgjegjshëm dhe është shpallur fitues i kontratës në vlerë prej 1.779.759,54 euro.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për rastin e tenderit të “Ndërtimit të lokaleve afariste në Qytezën Pejton”. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.

http://kallxo.com/ngritet-aktakuze-ndaj-shefit-te-tendereve-hysni-hoxha/