Prerja e pemëve në Gjakovë, 17.03.2024

Prerja e pemëve në Stacionin e Autobusëve në Gjakovë, jep dorëheqje u.d. kryeshefi Agron Hoxha

Agron Hoxha ka dhënë dorëheqje nga pozita e ushtruesit të detyres së kryeshefit të Stacionit të Autobusëve në Gjakovë, pas prerjes së disa pemëve të vjetra në oborrin e stacionit të autobusëve.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar vetë Hoxha, më 18.03.2024, duke thënë se pas ngjarjes që ka ndodhur një ditë më herët e ka ofruar dorëheqjen.

“Unë jam larguar sot nga ushtruesi i detyrës. Pas ngjarjes që ka ndodhur kam ofruar dorëheqjen” – ka thënë ai përmes telefonit.

Hoxha ka thënë se vendimi për prerjen e pemëve ka qenë i ndërmarrjes, për shkak të një projekti për renovimin e objektit.

“Ato pisha të kalbura janë hequr për shkaqe sigurie. Nganjëherë ka ndodhur që u kanë rënë edhe studentëve, sepse aty janë 10 mijë qytetarë që gjatë ditës që lëvizin në stacion. Këto kanë me u ndërru me pisha të reja, pasi të kryhet projekti” – ka thënë Hoxha.

Konstatimi se pemët janë të kalbura, Hoxha tha se është bërë nga vetë menaxhmenti i ndërmarrjes, e jo nga ndonjë ekspert i fushës.

Në anën tjetër, Komuna e Gjakovës ka thënë se prerja e drunjëve është bërë pa dijeninë e tyre.

Përmes një komunikate për media, Komuna ka thënë se rasti është duke u trajtuar nga Policia dhe Prokuroria e Shtetit.

“Ky veprim ka ndodhur pa njoftimin dhe aprovimin e komunës dhe si i tillë është i dënueshëm. Ky nuk është rasti i vetëm që po ndodh. Në të gjitha rastet do të ndërmirren masat e nevojshme ligjore dhe presim nga policia dhe prokuroria që edhe ata ti ndërmarrin masat e duhura ligjore për këto raste” – thuhet ndër të tjera në reagim.

Ndërsa drejtori i Inspektoratit në Komunën e Gjakovës, Hysni Muhadri, ka thënë se Stacioni i Autobusëve nuk ka pasur leje nga asnjë institucion për prerjen e pemëve. Përmes telefonit, Muhadri tha se inspektorët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e trajtuar rastin.

“Po dje kanë dalur inspektorët. Kemi bërë procesverbalin dhe jemi në proces të marrjes së veprimeve ligjore. Nuk ka pasur leje prej asnjë institucioni që me u pre ato pemë” – ka thënë Muhadri për KALLXO.com.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje në Gjakovë, ka reaguar duke thënë se Komuna e Gjakovës i ka “shpallur luftë gjelbërimit”.

Qeverisja lokale, sipas kësaj partie, është duke shfrytëzuar pushtetin në dëm të interesave të qytetarëve.

“I bëjmë thirrje kryetarit të Komunës së Gjakovës dhe vartësve të tij, të ndalin këtë masakër ambientale në qytetin tonë, ngase banorët e komunës së Gjakovës nuk ua kanë me borgj ta durojnë këtë theqafje e komoditet të pushtetit të tyre, të cilit po i vie fundi i shumëpritur e i pa alternative” – thuhet ndër të tjera në reagimin e Vetëvendosjes.