Padia ndaj 'KTV' dhe Mufalil Bajqinovcit ku Hysni Hoxha kërkon 200 mijë euro, në padi përfshihen edhe KPK e KGJK

Përfaqësuesi ligjor i Hysni Hoxhës, avokati Sahit Bibaj ka bërë zgjerimin e padisë në rastin ku palë të paditura për shpifje dhe fyerje janë KTV-ja dhe Mufail Bajqinovci në cilësinë e moderatorit të emisionit “Puls”.

Hoxha me anë të padisë pretendon se në vitin 2014 ishte bërë publike dhe ishte shpjeguar aktakuza, që ishte ngritur ndaj tij, në emisionin që udhëhiqej nga Bajqinovci, ndonëse Hoxha dhe mbrojtësi i tij nuk kishin marrë pjesë në emision dhe nuk kishin pranuar aktakuzën paraprakisht nga ana e prokurorisë.

Në seancën përgatitore të mbajtur më 15 shtator, në Gjykatën e Prishtinës është bërë zgjerimi i padisë, që nënkupton se tashmë përpos KTV-së dhe Bajqinovcit, si palë në procedurë do të jetë edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Kjo e fundit do të përfshihet në procedurë për dëmshpërblim, të dëmit moral, për Hoxhën sipas pretendimeve në padi.

“Unë konsideroj se pasi tani jemi në seancën përgatitore duhet lejuar zgjerimi i padisë ndaj KGJK-së, nga baza se Këshilli Prokurorial i Kosovës me përgjigjet në padi Gjykatës i kanë ofruar si prova aktgjykime të Gjykatave se në çështje të tilla dhe të ngjashme, barrën e kompensimit të paditësve në bazë të udhëzimeve dhe akteve nënligjore e bartë KGJK dhe nga provat në shkresat e lëndës dhe faktin se paditësi shumë vite është trajtuar në Gjykata në procedurë që KGJK, ka mundur t`i mbyllë që në fazën fillestare dhe këtë nuk e ka bërë konsiderojmë që është bazë ligjore që KGJK t`i jepet statusi i palës në procedurë”- është deklaruar avokati i Hoxhës.

Këtë zgjerim të padisë e ka kundërshtuar përfaqësuesi ligjor i KGJK-së Driton Bërnjashi me pretendimin se nuk është dhënë pëlqimi nga KGJK për zgjerim të padisë në këtë fazë të procedurës ashtu siç parasheh ligji i procedurës kontestimore.

Gjyqtarja e rastit, FIlloreta Lekiqi, pas dëgjimit të palëve lidhur me zgjerimin e padisë, e aprovoi zgjerimin e bërë në seancën përgatitore nga mbrojtësi i Hysni Hoxhës, Sahit Bibaj.

“Lejohet ndryshimi i padisë në kuptim subjektiv ashtu që në këtë çështje kontestimore si palë të paditura përveç KTV, Mufail Bajqinovci, Këshillit Prokurorial, si i paditur i katërt do të jetë edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ndaj procedura tani e tutje do të zhvillohet në raport me katër të paditurit”- mori vendim gjyqtarja.

Gjyqtarja njoftoi avokatin e Hoxhës që të rregullojë kërkesën e padisë së tij në raport me secilin të paditur veç e veç, duke përcaktuar bazën, kërkesat kryesore dhe ato aksesore eventuale, të përcaktoj saktë mënyrën dhe kohën e kryerjes së shpifjes dhe fyerjes së pretenduar.

Në seancën e 15 shtatorit të këtij viti nuk ka prezantuar deputeti i Vetëvendosjes, ish-moderatori i emisionit “Puls”, Mufail Bajqinovci.

Sipas padisë së vitit 2015 Hysni Hoxha ka paditur Televizionin KTV dhe Mufail Bajqinovcin si udhëheqës i emisionit “Puls” për shpifje dhe fyerje. Kurse KPK dhe KGJK janë futur si palë në procedurë, pas zgjerimit të padisë, për dëmshpërblim të dëmit moral.

Sipas padisë në dhjetor të vitit 2014 në emisionin “Puls” i padituri Bajqinovci dhe Admir Shala ka marr pjesë në këtë emision në cilësinë e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, pa prezencë të paditësit Hysni Hoxha, kanë bërë publike dhe ka shpjeguar aktakuzën që e ka ngritur ndaj paditësit. Në padi pretendohet se Hoxha dhe mbrojtësi i tij nuk kishte pranuar padinë paraprakisht.

“Vendi për shqyrtim të pretendimeve të aktakuzës është gjykata dhe jo televizioni”- thuhet në padinë e parashtruar në Gjykatën e Prishtinës.

Për këto veprime të të paditurve, Hoxha ka paraqitur ankesë edhe në KPM ku ka kërkuar që televizionit në fjalë dhe personat përgjegjës t`i gjobit.

Sipas padisë KPM i ka dërguar vërejtje të paditurve, duke kërkuar nga këta të fundit që të veprojnë në pajtim me ligjin. Sipas padisë është shkelur parimi i prezumimit të pafajësisë.

Në padinë e Hoxhës pretendohet se në bazë të këtij publikimi atij i është shkaktuar dëm moral duke u ndjerë keq dhe i fyer nga të paditurat në mesin e anëtarëve të familjes dhe rrethit të tij. Si dhe pas këtyre veprimeve të të paditurve Hoxhës i është keqësuar shëndeti, theksohet në padi.

Hoxha nga Gjykata ka kërkuar që të aprovohet si e bazuar padia, të detyrojë të paditurin që në emër të cenimit të personalitetit fyerjes dhe shpifjes t`i paguaj shumën prej 200 mijë euro me kamatë ligjore nga dita e shkaktimit të dëmit e deri në pagesën definitive. Si dhe t`i kërkohet falje Hoxhës për fyerje dhe shpifje.

Në gusht të vitit 2021, Hoxha kishte zgjeruar padinë ku tashmë si e paditur e tretë do të figurojë edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, kjo e fundit nuk është paditur për shpifje dhe fyerje.

Pretendimet e KPK-së

Këshilli Prokurorial në përgjigjen në padi kishte theksuar se nuk është përgjegjësi e tyre se kush nga palët ftohet në emision dhe se deklarimet e prokurorit të çështjes kanë qenë në kuadër të aktakuzës.

Këshilli Prokurorial në përgjigje ka shtuar tutje se pretendimet apo dyshimet e prokurorit të çështjes në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si shpifje dhe fyerje sepse në rastin konkret prokurori nuk ka fyer askë dhe nuk ka shpifur në asnjë moment. Gjithçka që ka deklaruar prokurori në atë emision ka qenë e bazuar në provat e siguruara gjatë hetimit.

Në fund Këshilli Prokurorial ka kërkuar nga Gjykata që të refuzohet në tërësi si e pabazuar padia apo kërkesëpadia e paditësit Hysni Hoxha, në raport me Këshillin Prokurorial.

E paditura mediumi “Koha” përmes përfaqësuesit të saj ligjor, në përgjigje në padi kanë theksuar se paditësi ka dështuar që të paraqes se cilat kanë qenë thëniet apo deklarimet shpifëse ose fyese të cilat e kanë shqetësuar.

E paditura “Koha” ka theksuar se emri i paditësit – Hoxha, është përmendur vetëm një herë dhe atë nga moderatori i emisionit Bajqinovci ku i drejtohet prokurorit të shtetit Admir Shalës “Ç‘farë ka keqpërdorë z.Hoxha?”, duke mos konstatuar asgjë.

Sipas mediumit “Koha”, kjo ka qenë vetëm një pyetje e parashtruar nga moderatori dhe një raportim i saktë dhe i drejtë i prokurorit të një dokumenti zyrtar i cili rrjedhë nga një hetim publik.

Mbi këto rrethana mediumi “Koha” ka kërkuar që të refuzohet në tërësi si faktikisht dhe juridikisht e pathemeltë padia për kompensim të dëmit e Hysni Hoxhës.

KGJK padinë e konsideron pa bazë juridike

Përgjigje në padi në këtë rast ka paraqitur edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës pas zgjerimit të padisë që ka bërë pala e paditur. KGJK si e paditur e katërt në këtë kontest për dëmshpërblim të dëmit moral, e cila ka kundërshtuar zgjerimin e padisë si për nga baza ashtu edhe për nga lartësia për faktin se i mungon baza juridike në këtë çështje dhe faktin se KGJK e konteston edhe legjitimitetin real pasiv të palës në procedurë.

Sipas përgjigjes në padi që e ka dorëzuar KGJK ka theksuar se personat e dënuar ose arrestuar pa bazë, rregullohen me dispozita të veçanta, respektivisht me Kodin e Procedurës Penale.

KGJK ka theksuar se si organ administrativ nuk kanë asnjë raport juridiko-civil me palën paditëse, dhe me asnjë veprim KGJK nuk i ka shkaktuar dëm jo material paditësit.

Kështu KGJK ka kërkuar nga Gjykata që të refuzohet në tërësi si e pa bazuar padia dhe kërkesëpadia e paditësit Hoxha për shkak të legjitimitetit pasiv në procedurë dhe për shkak të mungesës së bazës juridike me të cilën mbështetet kjo padi në raport me të paditurën KGJK-në.