Dy të akuzuarve u parashkruhet lënda në gjykimin për tenderin 6 milionësh të KEK-ut

Gjykata e Prishtinës sot ka shpallur aktgjykimin ndaj Sami Lushtakut dhe gjashtë të akuzuarve të tjerë në rastin e njohur si “tenderi 6 milionësh i KEK-ut”.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra ka deklaruar se ndaj të akuzuarve Esat Tahiri e Milazim Lushtaku ka arritur parashkrimi absolut i veprës penale të falsifikimit ndërsa për veprën penale të mashtrimit dy të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm.

“Për të akuzuarit Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku… refuzohet akuza për veprën penale falsifikim me dokumente për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale”, deklaroi gjykatësi Kalludra me rastin e shpalljes së aktgjykimit.

Ndonëse për këtë pikë të akuzës kishte arritur parashkrimi absolut, Kalludra u shpreh se edhe po të mos kishte arritur parashkrimi dy të akuzuarit do të shpalleshin të pafajshëm.

“Edhe pse të jem shumë i sinqertë nuk ka mundësi të veprimit ndrysh pasi që i akuzuari Milazim Lushtaku nuk është i përshkruar në asnjë veprim në këtë vepër penale mirëpo meqë pasoja është e njëjta nuk ka ndonjë peshë tjetër nuk kemi shkuar me lirim nga akuza përndryshe në qoftë se do të kishte ndonjë pasojë të dëmshme siç ka ekzistuar në ligjet e mëhershme qe edhe parashkrimi ka pasur pasoja në palën do të vendosshim lirim për shkak se edhe mbrojtja me të drejtë e ka theksuar që nuk ka asnjë veprim që është i përshkruar lidhur me falsifikimin”, tha gjykatësi Beqir Kalludra.

Së bashku me Lushtakun nga akuza u liruan edhe ish-drejtori i KEK-ut Arben Gjukaj, ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit Hysni Hoxha, Esat Tahiri, Milazim Lushtaku, Driton Pruthi e Azem Duraku.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Kalludra ka vlerësuar se në veprimet e shtatë të akuzuarve nuk janë vërejtur elemente të ndonjë vepre penale.

E gjatë shpalljes së aktgjykimit Kalludra përmendi edhe vështirësitë që kishin hasur gjatë gjykimit të këtij rasti.

“Fatkeqësisht kjo çështje ka zgjatur jashtëzakonisht gjatë, në këtë çështje penale edhe në aspektin formal edhe procedural ka pasur mjaftë pengesa. Sic e dini Gjykata Supreme në atë kohë edhe përkundër faktit që nuk ka pasur të drejtë që ta kthejë në rigjykim kur vendoset në dëm të të akuzuarit është kthyer dhe çështja ka vazhduar ashtu si ka vazhduar. E dini që po thuajse 20 dëshmitar i ka dëgjuar EULEX-i dhe pas dëgjimit të atyre 20 dëshmitareve lënda është dorëzuar tek ne dhe ne është dashur që të fillojmë nga fillimi”, deklaroi gjykatësi.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit në sallë nuk u pa i akuzuari Sami Lushtaku si dhe askush nga Prokuroria.

Në këtë rast gjyqësor Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku akuzoheshin për veprën penale mashtrim, ish-drejtori i Prokurimit Driton Pruthi, ish-drejtori i KEK-ut Arben Gjukaj dhe ish-kreu i OSHP-së Hysni Hoxha akuzoheshin për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, ish-kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku  dhe Azem Duraku akuzoheshin për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Çështja e këtij tenderi të KEK-ut kishte shkuar më herët deri në Gjykatën Kushtetuese, e cila refuzoi kërkesën e të akuzuarve për t’i vënë masë të përkohshme procesit.

Për tenderin e KEK-ut Gazeta Jeta në Kosovë kishte shkruar në vitin 2014, ndërsa hetimet lidhur me këtë rast kishin filluar më 5 tetor 2012, e aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.

Aktualisht, kjo është aktakuza e dytë që rëndon mbi Sami Lushtakun.