Konferenca e fundvitit ne ATK Foto: KALLXO.com

Në 2018, 455 milionë euro të hyra nga ATK-ja

Administrata Tatimore e Kosovës përmes një konference për media ka bërë të ditur se të hyrat e këtij viti kanë qenë rekorde.

Drejtori i ATK-së, Sakip Imeri deklaroi se të hyrat në ATK këtë vit janë 41.5 milionë euro më shumë se viti 2017.

“ATK e përmbyll vitin me numër rekord të të hyrave, nga janari deri në dhjetor këtë vit arkëtuar 455.9 milionë euro krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit ku këtë vit ATK ka arkëtuar 10 për qind për shumë se vitin e kaluar ose 41.5 milionë euro ndërsa krahasuar me planet e punës për vitin 2018 ka arkëtuar 9.9 milionë euro ose 2.2 për qind më shumë”, tha në mes tjerash drejtori Imeri.

Ai po ashtu ka cilësuar si të suksesshme edhe aktivitetet e Departamenti i Hetimeve Tatimore të Inteligjencës

“Ky departament  ka zhvilluar një sërë aktivitetesh ku 289 kanë qenë aktivitete për verifikim të shmangieve tatimore, 183 intervista me të dyshuar dhe dëshmitar, 162 takime dhe konsulenca me prokurorë, 30 raporte informuese për prokurorinë, 29 raste nën dyshim, 17 bastisje apo kontrolla dhe e gjithë vlera e shmangies tatimore duke mos përfshirë ndëshkimet kanë qenë 7.1 milionë euro”, ka shtuar ai.

Gjithashtu bashkëpunimet e ATK me institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare kanë qenë pjesë e sukseseve të këtij institucioni.

Imeri ka bërë të ditur se gjatë këtij viti janë mbyllur 256 lokale të lojërave të fatit.

“Kur jemi te monitorimi i lojërave të fatit ATK ka mbyllur 256 lokale apo 58 më shumë se viti i kaluar ndërsa në licencat e anuluara kanë qenë gjithsej 24 e që në vitin 2017 kanë qenë 150 më shumë”, u shpreh ai.