Ndalja e Rrymës Pengon Biznesin e Nisur në Korrik

Smajl Aliu që ka nisur në korrik biznesin e tij në Gurrakoc të Istogut ankohet se mungesa e rrymës nuk po e lejon të punojë.

“Ka reduktime këtu të ashpra gjithë. Jo veç tash dimrit, po prej kur kam filluar me 3 korrik [nuk kam shpëtuar] unë pa reduktime këtu deri në tetë orë, ka ndodhur edhe në 10 orë, se ka katër orë ka qenë e rregullt,” tha Aliu për KALLXO.com.

Aliu tregon se mungesat e gjata të rrymës po ia rrezikojnë produktet që mban në dyqanin e tij tregtar.

“Kam këtu produkte të mishit, turlifarë mishnash. Mu ka dashtë edhe me bajt këtu edhe me çu nëpër miq me shkep natën mos mu prishë qetu në friz se s’ka pasur rrymë,” shpjegon Smajl Aliu.

Aliu thotë se edhe pse jeton në Gurrakoc, është i lidhur në linjën elektrike të fshatit Dobrushë, në të cilën rryma ndalet shumë shpesh dhe me orë të tëra.

Në biznesin e tij tregtar të quajtur “Flori Center” janë të punësuar 10 persona, por Smajl Aliu thotë se po të vazhdojë të mos ketë rrymë, do ta mbyllë dyqanin.

“Pardje pesë herë  vetë e kam ndez  gjeneratorin se pesë herë mu ka ndal rryma. Përndryshe unë besoj që s’ka me shkuar larg që duhet mu rreziku qeta 10 punëtorë që i kam edhe mi largu prej punës se s’mundem me mbijetuar më,” thotë Aliu.

Zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala tha se po bëhen përpjekje maksimale për furnizim me rrymë të konsumatorëve.

“KESCO po bën maksimumin që të furnizojë me energji elektrike konsumatorët. Dihet se bizneset kanë trajtim te veçantë dhe mund të furnizohen me energji elektrike pa ndërprerje nëse lidhin marrëveshje me KESCO-n dhe i plotësojnë disa kushte. Shume biznese anekënd Kosovës e kanë bërë këtë dhe KESCO është duke i furnizuar në vazhdimësi, tha Buzhala.

Kohëve të fundit ka pasur redultime të shumta të energjisë elektrike në Kosovë, për të cilat ka shkruar edhe KALLXO.com.

http://kallxo.com/qytetaret-ne-terr-keds-e-kek-shkembejne-akuza/