Mustafa: Të Parealizueshëm Skenarët e Provokimit nga Serbia

Kreu i Qeverisë Isa Mustafa ka siguruar qytetarët se institucionet janë të përgatitura në për ta mbrojtur stabilitetin e arritur dhe për të avancuar prosperitetin e Kosovës.

Kryeministri Mustafa gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë ka folur edhe për situatën e fundit të krijuar në raportet Kosovë-Serbi.

Sipas tij institucionet e vendit janë të përgatitura dhe të koordinuara së bashku me bashkësinë ndërkombëtare që ta mbrojnë stabilitetin e arritur në Kosovë.

Ai gjithashtu u ka bërë ftesë serbëve të Kosovës që të kthehen në institucione por duke i respektuar kushtetutën dhe institucionet e vendit.

Lista Serbe doli nga institucionet kur u miratua Ligji për Trepçën në tetor të vitit të kaluar, për t’u kthyer disa ministra të saj për disa ditë dhe për t’u larguar përsëri kur Mustafa shkarkoi në dhjetor 2016 ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal Ljubomir Mariq.

Mustafa në fjalën e tij gjatë mbledhjes së qeverisë e ka ftuar kryetarin e komunës së Mitrovicës së Veriut Goran Rakiq që ta zbatojë ligjin në çështjen e murit, duke e rrënuar atë.

Një mur në Mitrovicën Veriore pak përtej urës kryesore të lumit Ibër filloi të ndërtohej në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, ndërsa pastaj u ndalua nga autoritetet kosovare.

Mustafa në fjalën e tij të sotme para kabinetit qeveritar u zotua se pala kosovare do t’i zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel, duke përfshirë edhe atë të asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ne do të fillojmë me implementimin e saj në harmoni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me marrëveshjen e parë, por me pjesëmarrje të serbëve dhe komuniteteve tjera në këtë proces. Ky proces do të jetë i hapur dhe transparent, si për institucionet e Republikës së Kosovës, ashtu edhe për opozitën dhe për shoqërinë civile,” tha Mustafa, sipas komunikatës së qeverisë.

Mustafa ftoi Qeverinë e Serbisë që të heqë dorë nga gjuha kërcënuese. Zyrtarë të kësaj qeverie kanë kërcënuar se në bashkëpunim me Listën serbe vetë do ta krijojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, nëse deri më 15 shkurt 2017 këtë nuk e bën Qeveria e Kosovës.

Sipas tij, skenarët e tilla çfarë po i bën Serbia janë të parealizueshme.

“Dua të konkludoj se qytetarët  e Kosovës nuk do të ndahen me mure, por do të bashkohen me ura, Ramush Haradinaj nuk do të ekstradohet në Serbi, por do të kthehet në Kosovë dhe trenat do të mund të hyjnë nga Serbia në Kosovë dhe nga Kosova në Serbi, duke respektuar në mënyrë të dyanshme rregullat e lëvizjes së mallrave dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve,” tha Mustafa

Treni i nisur nga Begoradi të shtunën me mbishkrimet nacionaliste serbe “Kosova është Serbi” nuk kishte arritur të kalonte kufirin në Kosovë.

http://kallxo.com/treni-nuk-leviz-nga-rashka/

Situata ishte tensionuar pastaj me deklaratat e politikanëve serbë, të cilët kishin kërcënuar edhe me luftë.

Gjatë ditës së djeshme, ambasada amerikane i ka dhënë mbështetje Kosovës për ndalimin që i bënë këtij treni.

http://kallxo.com/amerika-jep-mbeshtetje-kosoves-per-ndaljen-e-trenit/