Foto: ZKM

Qeveria ndan 120 mijë euro për fushatën sensibilizuese për regjistrimin e popullsisë

Qeveria e Kosovës ka ndarë 120 mijë euro për fushatën sensibilizuese për projektin e regjistrimit të popullsisë.

Kërkesa për ndarjen e kësaj shumë u miratua më 27.02.2024 në mbledhjen e 190-të të Qeverisë, që u mbajt në formë elektronike.

Në këtë mbledhje, sipas njoftimit zyrtar, janë miratuar edhe 4 rregullore të ndryshme: Rregullorja për themelimin e marrëdhënies së punës me kontratë për periudhë të caktuar; rregullorja për orarin e punës, pushimet dhe vijueshmërinë e zyrtarëve publikë; rregullorja për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores Nr.15/2023 për procedurën e pranimit në shërbimin civil; rregullorja për klasifikimin e vendeve të punës në shërbimin civil.

Procesi i regjistrimit të popullsisë do të fillojë më 05.04.2024 dhe do të zgjasë deri më 17.05.2024, sipas kryeministrit Albin Kurti.

Kjo është tentativa e katërt për fillimin e regjistrimit të popullsisë që bëhet nga Agjencia e Statistikave në Kosovës (ASK).

Ky proces fillimisht ishte paraparë të niste në vitin 2021, por u shty për shkak të pandemisë COVID-19.

Më 30.09.2022, Qeveria kishte vendosur që regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, në Republikën e Kosovës, të realizohet në periudhën kohore nga 01.09.2023 deri më 16.10.2023.  

Vendimi i radhës, më 23.08.2023, parashihte fillimin e regjistrimit të popullsisë nga data 01.11.2023 deri më 15.10.2023.

Kryeministri Kurti kishte thënë se një sërë vonesash në proces e kishin bërë të pamundur nisjen e regjistrimit të popullsisë më 01.09.2023.

Më 27.10.2023, Albin Kurti pati thënë se e kanë nxjerrë vendimin që regjistrimi të fillojë më 01.11.2023.

I fundit ishte vendimi i Qeverisë Kurti më 22.11.2023 kur regjistrimi i shty të mbahet nga data 05.04.2024 deri më 17.05.2024. 

Hera e fundit kur është bërë regjistrimi i popullsisë në Kosovë ka qenë në vitin 2011.

Sipas regjistrimit të bërë atë vit, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë ishte 1.8 milion.

Në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.