Varret e Tahir, Hasan e Enis Zemajt, të vrarë 17 vjet më parë - Foto: Arkiv

Mustafa Përkujton Zemajn

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, me rastin e 14 vjetorit të vrasjes përkujtoi komandantin e luftës çlirimtare, kolonelin Tahir Zemaj.

Mustafa theksoi se kolonel Zemaj do të përkujtohet gjithnjë si një luftëtar i shquar i lirisë, i cili dha gjithçka për Kosovën në momentet më të vështira.

Kryeministri Mustafa me këtë rast veçoi rolin e Zemajt në betejën e Loxhës, e cila, sipas tij, u fitua falë udhëheqjes vetëmohuese të kolonel Tahir Zemajt dhe luftëtarëve të tjerë të lirisë.

“Kolonel Tahir Zemaj do të mbahet mend përgjithmonë si një luftëtar besnik i Atdheut, një strateg ushtarak dhe një njeri i pakursyer për arritjen e lirisë dhe demokracisë në Kosovë”, citohet të ketë thënë Mustafa sipas një komunikate të Zyrës së Kryeministrit.

Po ashtu, ai ka shfaqur besimin se drejtësia do të zbardhë një ditë vrasjen në pabesi të kolonel Zemajt, të djalit të tij, Enisit dhe veprimtarit të shquar politik, Hasan Zemaj.

Tahir Zemaj, djali i tij Enisi dhe kushëriri i tyre Hasan Zemaj u vranë në një atentat më 4 janar 2003.

Autorët ende nuk dihen.

Në korrik të vitit 2015, në përvjetorin e Betejës së Loxhës, kryeministri Isa Mustafa kishte thënë se duhen ndëshkuar me dhjetëra vrasje të pasluftës të aktivistëve të partisë.

“Institucionet tona duhet të ndalojnë së fajësuari njëri-tjetrin për vrasjet dhe krimet. Këto çështje duhet t’i zgjidhin organet e drejtësisë”, kishte thënë Mustafa në përvjetorin e fillimit të betejës së FARK-ut me forcat serbe në Loxhë të Pejës.

Kryeministri i Kosovës: Zgjidhni Vrasjet Politike të Pasluftës