Isa Mustafa, Kryeministër i Kosovës. I Foto: KALLXO.com

Mustafa: Me Murin Nuk Kemi Manifestuar Popullizëm

Kryeministri Isa Mustafa tha sot se gjatë muajit janar është takuar disa herë me kryetarin e Komunës së Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, me të cilin tha se ka biseduar për mënjanimin e murit në pjesën veriore të qytetit.

Mustafa theksoi se çështja e murit, të cilin e quajti “të paligjshëm”, është diskutuar edhe me miqtë ndërkombëtarë në Kosovë, por edhe në Bruksel, me zonjën Federica Mogherini, por jo edhe me delegacionin serb.

Lidhur me rrënimin e murit, që ndodhi sot rreth mesditës, kryeministri theksoi se e kemi zgjidhur një problem të brendshëm, me autoritetet e vendit dhe me përkrahjen ndërkombëtare.

Shefi i Qeverisë për marrëveshjen e arritur në orët e para të ditës së djeshme falenderoi presidentin dhe kryekuvendarin e Kosovës, Ambasadën e ShBA-së, Zyrën e BE-së në Kosovë, kryetarin Rakiq, ministritë e përfshira në këtë proces, si dhe popullatën e asaj pjese të qytetit për “sjellje dinjitoze”.

Kryeministri Mustafa theksoi se me rastin e murit Qeveria e Kosovës nuk ka manifestuar popullizëm dhe shtoi se me marrëveshjen dhe rrënimin e murit kanë fituar vlerat demokratikë.

Ndërsa, ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, theksoi se sot kemi një realitet tjetër dhe se gjithçka po bëhet konform ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.