Mustafa Kujton Kryetarin e Vrarë të Klinës

Vrasja e Rracit e ndodhur 15 vjet më parë ende nuk është zbardhur, ndërsa sot Kryeministri Mustafa vizitoi degën e LDK-së në Klinë.

Kryetari i kësaj dege Fadil Gashi vuri në dukje humbjen e madhe që kjo komunë kishte me vrasjen e Ismet Rracit.

“Në angazhimet tona ndjejmë mungesën e figurës së Ismet Rracit, por siç e dimë edhe familja e tij dhe të gjithë qytetaret e Komunës së Klinës”, tha Gashi, duke kërkuar zbardhjen e vrasjeve të pasluftës që i quajti politike.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se humbja e kryetarit të ndjerë Ismet Rraci, nuk ishte vetëm goditje për Klinën ku kishte përkrahjen absolute, por njëkohësisht edhe humbje e një nga kuadrove më të shquara.

Gjatë vizitës së sotme në Klinë, Mustafa u zotua për qeverisje të vendit me vlerat e Ibrahim Rugovës, Ismet Rracit dhe veprimtarëve tjerë.

“Unë mendoj që Kosova e meriton që LDK-ja me vlerat të cilat i ka promovuar me Ibrahim Rugovën dhe më shumë veprimtarë tanë, të japë rezultate të mira,” tha Mustafa.

Kryeministri dhe kreu i LDK-së bëri pastaj homazhe te varri i Ismet Rracit në Siqevë të Klinës.