Drejtësi në mungesë, krerët shtetërorë kërkojnë zbardhje të Masakrës së Reçakut

Me himnin e shtetësisë së Kosovës dhe atë kombëtar, mes dhjetëra familjarëve të të rënëve për liri, qytetarësh, krerëve institucionalë e diplomatësh, edhe njëherë u kërkua drejtësi për Masakrën e Reçakut dhe u përsërit që krimet e luftës nuk falen.

Presidentja Vjosa Osmani në ceremoninë përkujtimore të mbajtur në Shtime, tha se Reçaku ka nevojë për drejtësi, se vetëm drejtësia është garanci që e njëjta nuk do përsëritet.

“Masakra e Reçakut është kujtesë e jona për brutalitetin ndaj fëmijëve, grave e burrave” – tha ajo.

Osmani përmendi rëndësinë e madhe që kanë pasur dëshmitë. përveç të banorëve, dëshmitë e të cilëve janë thelbësore, dëshmia e William Walker.

“Kjo dëshmi i dha kthesë historisë tonë për liri” – tha ajo.

Osmani tha që janë sot në Reçak e Shtime, që të ju themi familjarëve të viktimave, që janë edhe familja jonë dhe dhimbja është e përbashkët.

“Familjet e të masakruarve që mbajnë barrën e madhe, meritojnë që kryerësit e këtyre krimeve kundër njerëzimit të dalin para drejtësisë” – tha Osmani.

Duke kujtuar këtë ditë, kryeministri Albin Kurti lajmëroi që më 12 janar është marrë vendim që të formohet një grup punues për Kompleksin Memorial më Reçak, që të ketë një kompleks të dinjitetshëm.

“Nuk i falim krimet që kanë ndodhur. Krimet e luftës nuk vjetërsohen asnjëherë” – tha Kurti.

Në këtë vit jubilar, Kurti tha që si viti i 25 i pasluftës, gjysma e parë e këtij viti do shënohet me përkujtime për masakrat që kanë ndodhur.

“Atë vit, në një datë si e sotmja vranë nga më i riu Halim Beqiri, 14-vjeçar deri në më të vjetrin 99 vjeçar”- shtoi ai.

Kurti teksa përmendi dëshmitarët e Masakrës së Reçakut, mes tyre edhe ish-shefin e Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, William Walker, tha kjo vepër makabër është e dëshmuar me sytë e tyre nga banorët e fshatit, nga ushtarët e UÇK-së të zonës së Nerodimes, nga OSBE.

Ish-ambasadori Walker tha që sa herë vjen në këtë vend pyetet çdoherë se çfarë do thotë Reçaku për juve.

“Sot kam një gjë tjetër çfarë dua të them. Shoh përreth në audiencë dhe shoh që shumica janë mbi 30 dhe e dini çfarë ka ndodhur gjatë luftës. Tash e shihni mbas 25 viteve sa ka ndërruar në Kosovë” – tha ai.

Walker thotë që Kosova është shndërruar në një nga demokracitë më të suksesshme jo vetëm në Evropë por edhe më tej.

“Çka prezanton sot për mua është ajo çfarë është bërë në Kosovë për 25 vite, falë qeverisë që keni tani dhe keni pas në të kaluarën. Mendoj që në Kosovë është demokracia më e suksesshme jo vetëm në Evropë por edhe më tej, si në liri të shprehjes, si në atë të religjionit” – u shpreh Walker.

Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu tha që 15 janari i para 25 vitesh ia preu apetitin e egër forcave serbe, pasi që e ndryshoi rrjedhën e historisë.

“Gur i rëndë i kthesës për liri janë të rënët e Reçakut”- tha Aliu.

Aliu tha që secila pikë gjaku është thirrje për drejtësi ende në mungesë për zbardhjen e kësaj masakre.

Adem Ramadani, kryetar i fshatit Reçak theksoi që e vërteta çfarë ka ndodhur në fshatin e tyre, nuk mund të fshihet asnjëherë.

“Ne shprehim revoltën ndaj politikanëve serbë që nuk kërkojnë falje dhe mohojnë gjenocidin e bërë në këtë vend”- tha Ramadani.

Masakra e 15 janarit 1999, ndër më të rëndat të mbajtura mend e të dokumentuara, ndryshoi përgjithmonë historinë e Kosovës.

Masakra e Reçakut ka qenë njëra nga shkaqet që çuan në fillimin e bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë dhe Serbi.

Ceremonia përkujtimore për 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut. Foto: KALLXO.com.
Ceremonia përkujtimore për 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut. Foto: KALLXO.com.
Ceremonia përkujtimore për 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut. Foto: KALLXO.com.