Nga gjykimi i Gazmend Halitit. Foto: Kallxo.com

Mungon dëshmitari, dështon përsëri seanca në gjykimin për terrorizëm

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore në gjykimin ndaj të akuzuarit për terrorizëm Gazmend Haliti, kjo si pasojë e mungesës së dëshmitarit Fitim Dema.

Kjo nuk është hera e parë që për shkak të mungesës së këtij dëshmitari, shtyhet seanca gjyqësore në këtë gjykim.

https://kallxo.com/gjendja-shendetesore-e-deshmitarit-shtyn-gjykimin-per-terrorizem/

Sipas informacioneve të Gjykatës, pas dorëzimit të ftesës së Gjykatës, në fletë kthesë është kthyer përgjigja se ky person momentalisht gjendet jashtë vendit.

Në sallë të Gjykatës nuk ishte e pranishme as anëtarja e trupit gjykues, Gjykatësja Suzana Çerkini e cila ndodhej në një trajnim, por mungesa e Gjykatëses nuk ishte pengesë për mos vazhdim të seancës gjyqësore pasi që ajo ishte zëvendësuar me një Gjykatës tjetër, në mënyrë që të plotësoheshin kushtet për mbajtje të seancës gjyqësore.

Seanca e radhës është caktuar për datën 17 dhjetor.

Në këtë gjykim, Prokuroria pretendon se Gazmend Haliti me dashje ka marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist, duke shkuar në vitin 2013 në Turqi, e nga aty në Siri ku edhe i është bashkuar grupit të shqiptarëve që luftojnë në radhët e organizatës terroriste ISIS.

Sipas aktakuzës, ai ka marrë pjesë në veprimtaritë e ISIS-it për disa muaj, duke luftuar me qëllim që ta frikësojë popullsinë dhe t’i shkatërrojë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të Sirisë.

Aktakuza thotë se në shkurt të vitit 2014, Haliti ka shkuar në Aeroportin “Ataturk” në Stamboll të Turqisë dhe nga aty ka fluturuar për në Aeroportin “Rinas” të Tiranës, së bashku me bashkëluftëtarin e tij në ISIS, Betim Ibrahimaj.

Sipas aktakuzës, më 20 shkurt 2014, ata kanë hyrë me veturë në Kosovë përmes pikës kufitare në Vërmicë.

Aktualisht, Haliti është i dënuar për terrorizëm së bashku me pesë të tjerë edhe në rastin e njohur si “Badovci”, rast ky të cilin Gjykata e Apelit këtë dhjetor e vërtetoi aktgjykimin e shkallës së parë.

Haliti u dënua me tri vjet e gjysmë burg.

Aktakuza i ngarkonte pesë të akuzuarit se në korrik të vitit 2015 kishin shkuar te liqeni i Badovcit, afër Prishtinës, me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”, i njohur me shkurtesën ISIS.

Sipas Prokurorisë, ky grup ka pasur qëllim që këtë video ta publikojë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shtetit Islam” në Republikën e Kosovës.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për proceset gjyqësore ndaj Gazmend Halitit. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.