Rreziku për sigurinë kombëtare - arsyeja pse shumë të burgosur nuk u liruan me kusht

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN, ka gjetur se disa të burgosur kishin marrë rekomandime për lirim me kusht por proceset janë refuzuar nga paneli për lirim me kusht.

Gjyqtarja Valdete Daka në emisionin “Kallxo Përnime” ka treguar se pse këto kërkesa po refuzohen.

Daka ka thënë se ekziston një vlerësim i veçantë i cili vlerëson rrezikshmërinë e të burgosurit për sigurinë kombëtare dhe për këtë arsye kërkesat për lirim me kusht nga të burgosurit për veprat terroriste refuzohen.

“Unë jam vetëm në vitin e fundit në panelin për lirim me kusht dhe kemi pasë shumë pak raste të të burgosurve që lidhen me terrorizëm të cilët kanë kërkuar lirim me kusht. Kemi raste kur të burgosurit i kanë plotësuar kushtet, në fakt këta të burgosur i përmbushin kushtet. Por ekziston një vlerësim i posaçëm i cili është vlerësimi për rrezikshmërinë për sigurinë kombëtare dhe kur kemi një vlerësim se ata të burgosur janë të rrezikshëm ne i refuzojmë kërkesat” – tha Daka.

Daka theksoi se që nga janari i këtij viti e deri në shtator kanë pranuar 681 kërkesa për lirim me kusht.

“Sipas shënimeve që ne i kemi prej janarit të këtij viti e deri në shtator kemi pranuar 681 kërkesa, ku kemi shqyrtuar 576 prej tyre, 296 janë aprovuar, 282 janë refuzuar. Ka edhe kërkesa ku janë hedhur poshtë si të parakohshme apo është dashtë që të shtyhen”- tha ajo.

www.kallxo.com