Muhaxheri Kundër Haradinajt: Kufiri Nuk Është në Çakorr e Zhlep

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, u tha sot pejanëve që të mos kenë më dyshime në punën e bërë rreth demarkacionit, pas publikimit të raportit të ekspertëve të huaj.

Mustafa ka shkuar sot në Pejë për të biseduar me drejtues të komunës dhe bizneset lokale, pikërisht një ditë pas publikimit të raportit i cili demarkacionin e kufirit me Malin e Zi e vlerëson si proces të rregullt.

Në Pejë, Mustafa u ndie i lehtësuar kur tha në prani të kryetarit të komunës, Gazmend Muhaxheri, se raporti e ka vërtetuar se Kosova “nuk ka humbur asnjë metër tokë” në këtë proces.

“Tash është vërtetuar që as nuk kemi marrë nga malazezët as nuk u kemi dhanë malazezëve asnjë metër tokë. Pse njerëzit dalin dhe operojnë me 8 mijë hektarë ose 10 mijë hektarë është çështje e tyre, por në asnjë rast do të thotë nuk është vërtetuar se një metër katror është këmbyer me Malin e Zi”, tha Mustafa.

Ai po ashtu tha se pas vlerësimit nga ekspertët ndërkombëtarë për demarkacionin e kufirit nuk ka arsye që më të protestohet për këtë kauzë të opozitës.

http://kallxo.com/raporti-plote-per-demarkacionin-dokument/

“Në këtë rast nuk kanë me argumente të protestojnë për arsye së kanë pasur hapësira të ulen me këtë komision t’i paraqesin dokumentet e tyre, dhe i kanë paraqitë por komisioni ka konstatuar që në pikëpamje ligjore është kryer gjithçka në rregull”, u shpreh Mustafa.

Ai ka shtuar së kushdo që ka dokumentacion së Kosova ka humbur tokë do merret parasysh.

I pari i qeverisë tha së kjo marrëveshje ndërshtetërore nuk ka arsyeje që mos të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.

Kurse Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se në bazë të kadastrës origjinale të kësaj komune, nuk ka fakte që Peja ka humbur territor.

Por Muhaxheri, për dallim nga ajo çfarë e thotë vazhdimisht lideri opozitar Ramush Haradinaj, thotë se nuk ka dokumente që kufiri i Kosovës shtrihet në Çakorr e Zhlep.

“Është e dhimbshme që qytetarët tanë e mendojnë se edhe ajo është pjesë e territorit i takon Republikës së Kosovës, por me dokumenta nuk kemi fakte që na takon”, tha Muhaxheri.

http://kallxo.com/haradinaj-kosova-shtrihet-deri-ne-cakorr-e-zhlep/