Foto-ilustrim | Njëra nga pikat kufitare të vendit

MPJ: Ndalimi i Hivzi Islamit në kufi me Serbinë është shkelje e lirisë së lëvizjes

Ministria e Punëve të Jashtme e ka vlerësuar të ulët, të papërgjegjshëm dhe të papranueshëm veprimin e autoriteteve serbe për moslejimin e ish-kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe anëtarit të Akademisë Europiane të Shkencave dhe të Arteve, Hivzi Islami, që të vizitojë familjarët e tij në Preshevë.

“Sjelljet e tilla të ndarjes nga pjesa tjetër e familjes e Akademik Islamit thjeshtë ri-ngjallin kujtimet trishtuese nga e kaluara e errët historike e politikave të fqinjit tonë verior Serbisë dhe forcojnë bindjen për mungesë të dukshme vullneti politik për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në mes dy shteteve në Bruksel dhe përkushtimit të shprehur institucional për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes dy vendeve tona”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ministria e Punëve të Jashtme konsideron se veprimi i sotshëm i institucioneve të Serbisë është në kundërshtim me çdo vlerë njerëzore dhe shkelje e rëndë e lirisë së lëvizjes, si parim themelor europian.

Në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme thuhet se do ta adresojnë këtë çështje nëpërmjet kanaleve diplomatike te përfaqësuesit e BE-së dhe komuniteti i gjerë ndërkombëtar dhe do të kërkojnë me ngulm mospërsëritjen e rasteve të tilla.

Përndryshe sot, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, është duke zhvilluar një vizitë në Mitrovicën e Veriut me leje nga autoritetet kosovare.