Monumenti New Born - 15.02.2024

'7 Qiejt' Monumenti New Born me mesazh për lirinë e lëvizjes

Në 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, monumenti ikonik New Born, këtë vit do përçojë një mesazh pozitiv, me fokus lirinë e lëvizjes pas liberalizimit të vizave.

Me logon ‘7 qiejt’ monumenti ikonik që shënon Pavarësinë Kosovës këtë vit për dallim nga mesazhet politike të viteve të fundit, në vitin 2024 do mbajë simbole të vendeve evropiane të cilat të rinjtë e Kosovës do mund t’i vizitojnë lirshëm, pa regjim të vizave.

‘7 qiejt’ simbolizon edhe shtatë shkronjat e monumentit mbi të cilat do vendosen imazhe të qyteteve evropiane e monumente që sugjerohen për t’u vizituar. Qielli nëpër këto shkronja do jetë i ngjyrosur në bazë të ciklit diellor, nga lindja deri në perëndim.

Artistët që punuan në imazhin e këtij viti për Kallxo.com bën të ditur se “Ilustrimi i këtij viti do jetë e kundërta e ‘qiellit me gjemba’ që kishte qenë në vitin 2016”.

Çdo vit vullnetarë dhe kompani ndihmojnë në ngjyrosjen e këtij monumenti, derisa mesazhi ndryshon në bazë të situatës politike e shoqërore të vendit.

Gjatë këtyre 16 viteve Monumenti New Born është ilustruar me imazhe e llogo të ndryshme.

Ideatori i monumentit të ndërtuar në vitin 2008, Fisnik Ismaili, vazhdimisht kontribuon në zgjedhjen e ideve që duhet përdorur në secilin përvjetor të Pavarësisë.

Monumenti fillimisht mbante ngjyrë të verdhë dhe plani kishte qenë që ashtu të mbetej, por për shkak të dëmtimit me shkrime të shumta, ideatori kishte vendosur që të bëjë ndryshime në projekt që do simbolizonin situatën aktuale të vendit.

Përmes ilustrimit të vitit 2023 u bë thirrje që të mos ketë një ‘Republikë të re të shkatërruar’ si mesazh kundër formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe me kompetenca që do cenonin sovranitetin e shtetit.

Derisa, monumenti ka mbajtur edhe simbolike të shteteve që kanë njohur Kosovën, gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë, fuqizimin e gruas, sukseset e grave, krijimit të ushtrisë, etj.

Monumenti i vendosur në afërsi të ‘Pallatit të Rinisë dhe Sporteve’ në kryeqytet është shndërruar në atraksion turistik për vizitorë nga vendi, rajoni dhe bota.