Kryetari Agim Bahtiri inspekton punimet e kontraktuara nga Komuna – Foto: Komuna e Mitrovicës

Mitrovica po realizon 25 projekte kapitale në vlerë disa milionë euro

Komuna e Mitrovicës është shndërruar në kantier ndërtimi.

Në të gjitha anët e saj janë duke u realizuar 25 projekte kapitale që arrijnë vlerën disa milionë euro, të cilat janë siguruar nga buxheti komunal dhe ai qeveritar, ndërsa që para pak ditësh ka përfunduar projekti i asfaltimit të rrugëve në Stantërg.

Sipas një njoftimi të Komunës, me intensitet të plotë janë duke u zhvilluar punët për ndërtimin dhe asfaltimin e rrugëve në fshatrat Zasellë, Rahovë, Frashër, Suhadoll, Vidimriq, Bajgorë (nëpër lagje) dhe hapja e rrugës Melenicë- Maxherë– Dedi- Batahir-Bistricë.
Në përfundim e sipër janë edhe rrugët kryesore brenda në qytet.

Ndërsa pjesa e rrugës kryesore nga hekurudha deri tek varrezat ortodokse në dalje të qytetit, do të fillojë të asfaltohet nesër, më 31 maj.

Menjëherë pas saj pritet të asfaltohen edhe rrugët tashmë të gatshme për asfaltim, ku përfshihet rruga kryesore e qytetit nga hekurudha deri te rrethi para Xhamisë së Zallit, rruga paralel me këtë që kalon përfundi kazermës së FSK-së dhe përfundi gjimnazit të qytetit dhe rruga nga komuna që përshkon lagjen Fidanishte dhe vazhdon deri tek ura e Suhadollit.

Po ashtu, në përfundim e sipër janë edhe punët për shtruarjen me kubëza të disa rrugëve në Iliridë, Bair dhe Shipol.

Përveç projekteve për ndërtimin dhe asfaltimin e rrugëve, në realizim e sipër janë edhe projektet të tjera kapitale dhe shumë të rëndësishme për qytetarë, siç janë: ndërtimi i kanalizimit fekal në Iliridë, afër Universitetit “Isa Boletini”, ndërtimi i kanalizimit atmosferik në disa lagje në qytet, debllokomi i kanalizimeve po ashtu në disa lagje të qytetit, ndërrimi i gypave të ujësjellësit prej betoni me gypa PVC në Iliridë e Shipol etj.

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, bashkë me nënkryetarin Faruk Mujka dhe drejtorin e Drejtorisë për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, Naser Muja, gjatë ditës ka inspektuar punët në realizimin e pothuaj të gjitha këtyre projekteve, për të parë nga afër se deri ku kanë shkuar ato, se a ka apo jo probleme gjatë realizimit dhe se çfarë është kualiteti i punëve.

Kryetari Bahtiri me këtë rast ka bërë vërejtje serioze në punët e disa projekteve dhe ka kërkuar nga punëkryesit që ato të përmirësohen, si dhe ka kërkuar nga ata që t’u përmbahen saktësisht afateve të parapara me kontratë.

“Nuk do të lejoj në asnjë mënyrë shmangie nga projekti. Kushdo që tenton ta bëjë këtë, do ta dëmtojë vetveten, sepse nuk ka zyrtarë në Komunë që do të guxojë të nënshkruajë diçka që nuk përputhet në tërësi me kushtet e kontratës ”, u ka thënë kryetari Bahtiri.