ARKIV: Pamje nga ndarja e mirënjohjeve për shërbyesit e dalluar civilë - Foto: KALLXO.com

Mirënjohje për 74 Shërbyes Civilë

74 shërbyes civilë u shpërblyen me mirënjohje nga Ministria e Administratës Publike për rezultatet e treguara në punë.

Në ditën ndërkombëtare të shërbimit civil, Ministria organizoi takim për diskutimin e reformave në shërbimin civil.

Në këtë ditë u evidentuan edhe pakënaqësitë dhe ankesat e punëtorëve në shërbim civil nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës.

Lulzim Aliaj, kryetar i KPMK-së, tregoi se ky institucion ka shqyrtuar 632 ankesa të shërbyesve civilë. Po ashtu, ai tha se 41 rekomandime nuk po zbatohen nga institucionet të cilave u dedikohen.

Në anën tjetër, Hajredin Hyseni, zëvendësministër i MAP u shpreh i përkushtuar për punë profesionale në administratën publike.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Administratës Publike janë të përkushtuara për të ndërtuar një administratë publike të avancuar, profesionale, efikase dhe transparente”, tha Hyseni.

Zëvendësministri përmendi edhe punën e bërë në sistemin e ri të pagave me moton “Për punë të njëjtë – pagë të njëjtë”.

Megjithatë, kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, Mursel Zymberi, në mënyrë kritike foli për pozitën e shërbyesve civilë të Kosovës.