Elbert Krasniqi Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Krasniqi publikon emrat e ekipit menaxhues për asociacionin, thotë se s’po i përgjigjen

Ministri i Administrimit të Pushtetit lokal, Elbert Krasniqi, ka bërë publike tri vendime të qeverive të kaluara për “Ekipin menaxhues për hartimin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Publikimi i këtyre vendimeve sipas Krasniqit vie pas kërkesave të shumta që kanë pasur nga mediat për të kuptuar përbërjen e këtij ekipi.

Sipas Krasniqit, janë gjithsej tre vendime të Ministrisë së Pushtetit Lokal të tre qeverive të ndryshme, që janë bazuar në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.

Vendimi i parë ishte marrë në qershor të vitit 2013, gjatë Qeverisë Thaçi.

Sipas këtij vendimi përbërja e ekipit menaxhues është: Igor Kalamar, për Komunën e Mitrovicës Veriore, Lubomir Mariq, për Komunën e Zveçanit, Dragan Jablanoviq, për Komunën e Leposaviqit, Dejan Radojkoviq, për Komunën e Zubin Potokut.

Vendimi i dytë ishte marrë në qershor të vitit 2016, gjatë Qeverisë Mustafa.

Sipas këtij vendimi, anëtarët e ekipit menaxhues Ljubomir Mariq dhe Dragan Jablanoviq, zëvendësohen me dy anëtarë tjerë: Vinka Radosavljeviq dhe Svetislav Durleviq.

Ndërsa dy anëtarët e mbetur të Grupit Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq, mbesin të pazëvendësuar në Grupin Menaxhues.

Vendimi i tretë ishte marrë në shtator të vitit 2020, gjatë Qeverisë Hoti.

Sipas këtij vendimi, anëtarët e ekipit menaxhues Vinka Radosavljeviq dhe Svetislav Durleviq, zëvendësohen me dy anëtare të rinj: Jelena Beloviq dhe Danijela Vujiçiq,

Dy anëtaret e mbetur të ekipit Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq mbesin të pa ndryshuar në Grupin Menaxhues:

Dhe koordinatore e ekipit menaxhues është Danijela Vujiçiq.

“Nga përbërja fillestare vetëm dy anëtarë kanë mbetur të pandryshuar; Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq. Dy tjerë janë ndryshuar vazhdimisht. Danijela Vujiçiq është anëtarja më e re e këtij ekipi, sipas vendimit të vitit 2020. Njëherësh, ajo është emëruar edhe si koordinatore e Ekipit Menaxhues”- ka shkruar Krasniqi në facebook.

Mirëpo Krasniqi është ankuar se ekipi menaxhues nuk i është përgjigjur ftesës së tij për tu mbledhur.

“Pika e gjashtë e vendimi të vitit 2020 parasheh që Ekipi Menaxhues koordinohet dhe i raporton për aktivitetet e tij ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal. Ju njoftoj se të martën me 18 prill, si ministër unë i jam drejtuar me ftesë për takim këtij grupi. Ftesë kjo që nuk ka marrë përgjigje”- ka shkruar ai.

Ekipi menaxhues do të përpiloj një draft të formimit të Asociacionit të Komunave në Shumicë Serbe.

Ky draft pritet të prezantohet dhe diskutohet në takimin e radhës të nivelit të lartë në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Formimi i Asocacionit është marrëveshje e vitit 2013/2015, mirëpo me marrëveshjen e Ohrit përkatësisht të Brukselit palët janë dakorduar që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet duke përfshirë edhe asociacionin.

Kurti: Isha i gatshëm ta shkruaj vetë draft-statutin për Asociacionin, BE-ja refuzoi