Prishtina 2023

Prishtina 2023 - Foto: Denis Sllovinja

Radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm, kush i ka fajet, shteti apo feja?

Prokuroria Speciale e ka vlerësuar si sulm të motivuar nga ekstremistë radikalë islamikë sulmin ndaj gazetarit Valon Syla. Hetimi i Prokurorisë deri në ditën e arrestimit ka identifikuar radikalizmin islamik si motiv mirëpo nuk ka përcaktuar se cilës rrymë radikale i përkasin tre të dyshuarit. 

Pretendimi i Prokurorisë është shndërruar në bazë që tre të pandehurit të qëndrojnë për një muaj në paraburgim.

Departamenti Special i Gjykatës së Prishtinës ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve Lum Dervishi, Kenan Hasani dhe Okan Hasani, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale nxitja e përçarjes dhe mosdurimit.

Më 11 mars, drejtori i ‘Gazeta Metro’, gazetari Valon Syla, është sulmuar nga tre presona në lagjen ‘Bregu i Diellit’ në Prishtinë.

Syla ishte sulmuar pas përfundimit të emisioni “Pressing” në Televizionin 7, ku ai kishte qenë i ftuar.

Syla kishte marrë trajtim mjekësor për shkak të lëndimeve trupore që iu shkaktuan.

Në dosje përmendet edhe fakti se deri sulmi dyshohet se erdhi edhe për shkak të disa postimeve të gazetarit Syla lidhur me çështje fetare.

Vetë Syla kishte thënë se është sulmuar nga disa persona ‘islamikë fanatikë’.

“Tre islamikë fanatikë më kanë sulmu, shpejt e shpejt ka ndodhë edhe kanë ikë” – ka thënë ai për RTV Dukagjinin.

Pas sulmit pati reagime të shumta nga udhëheqës institucionesh.

Mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti e nisi duke dënuar sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla, i cili ndodhi mbrëmë në një lagje të kryeqytetit.

Kurti kishte thënë se mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike.

“Më lejoni fillimisht të them se sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarit dhe opinionistit Valon Syla është i patolerueshëm dhe i papranueshëm. Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike. Në një shoqëri demokratike të cilën e prezantojmë dhe promovojmë me krenari, nuk duhet asnjëherë të lejojmë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë sesa liria e fjalës” – ka thënë Kurti.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke e dënuar ashpër sulmin fizik ndaj Sylës, derisa ka kërkuar hetime urgjente për zbardhjen e rastit

A pati dështim në parandalim?

Tre të dyshuarit janë nën moshën 25-vjeçare dhe nuk kishin qenë më parë persona të dyshuar nga Policia dhe Prokuroria për veprimtari ekstremiste.

Ata janë të lindur në Prishtinë. Kryeqyteti është një nga zonat e Kosovës me më së shumti qytetarë që u përfshinë në luftën në Siri dhe Irak dhe një nga zonat ku vepruan disa imamë e xhami radikale.

Kreshnik Gashi, njohës i fushës së sigurisë, thotë se në çështjen e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm institucionet ende nuk kanë arritur të zhvillojnë kapacitetet e plota.

“Si shoqëri jemi të prirur që në momentin kur bëhet Policia me intervenu – ne reagojmë. Sulmet e fundit na tregojnë shpërfaqjen e një procesi të gjatë të radikalizimit të shoqërisë, i cili ka ndodhur, ndikimi i rrymave të ndryshme dhe krijimi i një klime, e cila dhunën e ka si mjet të zgjidhjes së problemit” – thotë  Gashi.

Ai shton se shoqëria e ka injoruar shpërfaqjen e ndikimit radikal.

Avokati Asdren Bytyqi, i cili mbron njërin nga imamët e sulmuar më parë në rajonin e Podujevës, thotë se ky konflikt ka ardhur si pasojë e keqkuptimit dhe keqshfrytëzimit të lirisë së shprehjes.

“Liria e shprehjes është një koncept që bën një kufi të pavendosur mes asaj se çka është liri e shprehjes dhe asaj se çka është dinjitet njerëzor. Unë mendoj që ky kufi po keqpërdoret dhe po prodhon pasoja. Po keqpërdoret për arsye se mendoj që ky kufi përfundon atëherë kur ofendohet tjetri sepse dinjiteti është kufiri mes ofendimit dhe lirisë së shprehjes” – tha Bytyqi.

Por për Gashin konflikti nuk bëhet për lirinë e fjalës dhe atë të shprehjes por ekziston për dominim të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Për këtë ai e ka marrë shembull incidentin që ka ndodhur në komunën e Podujevës, ku imami i caktuar nga BIK-u ka shkuar në xhaminë e fshatit për kryerjen e riteve fetare, katër persona e kanë penguar atë, kurse njëri nga ta edhe e ka sulmuar.

“Kemi konflikt për dominim të pasurisë së BIK-ut, e të xhematit të tij. Dhe ky është pikërisht elementi që ne duhet ta diskutojmë. A ka konflikt mes komunitetit islam në Kosovë për dominim, se kush po i dominon rrymat, kush po i qeveris xhamitë e kush po qeveris me BIK-un’’ – tha Gashi.

Sipas tij janë disa imamë që janë më radikalë e të cilët po dëshirojnë xhami e territor të vetin.

“Po duan qeverisje, po duan pushtet, pra edhe BIK-u nuk ka mbërri ende me qenë aq i fortë, aq i strukturuar sa me u përballë me ta” – tha më tej ai.

Asdren Bytyqi, që është avokat, ka thënë se askush nuk ka të drejtë që në emër të lirisë së shprehjes ta fyejë askënd apo ta tallë.

“Unë nuk i di motivet e atyre që e kanë sulmuar gazetarin Valon Syla por që ai nuk ka pasur të drejtë t`i tallë apo ata që e kanë sulmuar të ndihen të fyer nga talljet e vazhdueshme të një gazetari’’ – ka thënë Bytyqi.

Bytyqi ka folur edhe për rastin e imamëve në Halabak të Podujevës, duke thënë që ka këshilluar imamin i cili është sulmuar, Hyzri Murseli.

“E gjithë problematika aty është bërë nga BIK-u. Këtu ajo ka lënë një ngërç të madh në proces, për shkak të mungesës së një vendimi përfundimtar për caktimin e tij si imam në atë xhami, pastaj komuniteti i besimtarëve një pjesë e tyre e kanë kundërshtuar. Pra mungesa e një pëlqimi përfundimtar i ka dhënë njerëzve pushtet që të kundërshtojnë këtë imam” – tha Bytyqi.

Ai ka shtuar se BIK-u në Podujevë është treguar i paaftë në zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“Ajo s’ka marrë përgjegjësi ta rregullojë çështjen qysh duhet” – tha më tej ai.

Teologu Mustafë Bajrami ka thënë se edhe liria e të shprehurit ka kufijtë e saj, duke iu referuar kështu deklaratës së gazetarit Valon Syla, i cili kishte kritikuar një hoxhë, të cilit i kishin bërë dhuratë një veturë të tipit ‘Mercedes’.

“Ndërhyrjet fizike të secilit person, sipas islamit janë të ndaluara rreptësisht dhe sanksionohet me ligjet islame dhe me ligjet shtetërore ku kryhet vepra” – tha Bajrami.

Avokati Asdren Bytyqi ka thënë se irritimi i atyre që e kanë sulmuar Valon Sylën nuk ka ardhur për shkak të kritikës së tij ndaj veturës por ndaj satirës së përdorur nga ai.

“Ndërlidhja në mënyrë satirike mes asaj kredos përshkruese të besimit që është, kush është Zoti yt, kush është profeti yt dhe kjo ndërlidhje edhe me ‘Mercedesin’ ka bërë që njerëzit të irritohen” – tha Bytyqi.

Mustafë Bajrami, teolog, në emisionin “Kallxo Pernime”, ku u diskutua rreth radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, ka thënë se duhet të kritikohet diskursi nënçmues që e ka bërë gazetari Valon Syla.

Bajrami ka shtuar se Syla njihet për komente të tilla.

“Duhet të kritikohet ai diskurs nënçmues dhe ofendues ndaj parimeve të fesë islame, të cilave një numër i madh i qytetarëve të këtij vendi i besojnë. Personi në fjalë njihet botërisht me qasjen e tij nxitëse edhe politike nëpër shumë emisione” – ka thënë Bajrami.

Ai ka folur edhe për veturën për të cilën ka ironizuar Syla, e që dyshohet se ishte bërë shkak i sulmit ndaj tij.

“Personi në fjalë e ka deformuar një citat islamik që flet për pyetjet të cilat meleku ia shtron dikujt në natën e varrit. Kush është Zoti yt? Kush është besimi yt? Dhe ky pastaj e ka shtu që do ta pyesin filan hoxhën edhe cili është ‘Mercedesi” yt apo cili është kerri që ti e do më së shumti?” – tha më tej Bajrami.

Ai ka shtuar që janë tre rrafshe në gjithë botën që janë shumë të ndjeshme, 1 çështja e fesë, familja dhe bindjet ideologjike.

“Po e preke njeriun në njërën nga këto rrafshe, reagimet janë pastaj të padëshiruara, në rastin konkret, një përqindje e madhe e kosovarëve, në mesin e tyre edhe unë, i takojnë asaj kategorisë që satira e Sylës i ka irrituar” – ka thënë më tej Bajrami.

Kreshnik Gashi nga Kallxo.com ka thënë që përderisa të gjithë kosovarët paguajnë anëtarësi në BIK, pse kjo e fundit nuk ngre padi ndaj gazetarit Valon Syla.

“Pse BIK-u nuk na e mbron fenë ligjërisht edhe me u çu me ngrit padi nëse e ka ofendu krejt komunitetin islam. BIK-un e paguam për me na mbrojtë. BIK-u ka jurist, është dashur që të iniciojë procedurë edhe krejt kishim qenë rehat, por BIK-u nuk guxon me ia lënë ligjin komunitetit në dorë” – tha Gashi.

Mursel Zymberi nga Qendra për punë sociale në Gjilan ka thënë se shteti nuk mbikëqyr lirinë e asnjërës nga fetë.

“Kur nuk e mbikëqyr një fe, hasim në kategori të ndryshme të personave. Këtu është keqpërdorur një kategori që është e lënë anash në aspektin ekonomik dhe edukativ. Ne si mekanizëm kundër ekstremizmit dhe terrorizmit në Gjilan kemi vërejtur se janë keqshfrytëzuar familjet që nuk kanë pasur funksion të plotë familjar, këtë e kemi parë kur janë kthyer nga jashtë, është për gjynah me sa padijeni kanë shkuar në Siri e Irak” -, tha Zymberi.

Ai ka folur edhe për rastin e sulmit ndaj gazetarit Syla duke thënë që ‘nëse i pyet tash ata djemtë thonë që janë penduar dhe nuk e kanë ditur çfarë janë duke bërë’.

“Ata i kanë tejkaluar parimet islame sepse tolerancën fetare, e kanë shkel këtë” – tha Zymberi.

Ndërsa  për Kreshnik Gashin si shoqëri e kanë lënë BIK-un fajtor për disa çështje që nuk janë për të.

“BIK-ut i kemi atribuuar shumë fenomene të cilat janë probleme që është dashur shteti të merret me to. BIK-u nuk ka faj që ne rrisim gjenerata të analfabetëve prej shkollave tona e të cilët mund t`i dërgosh ku të duash. Pra shteti jonë me institucionet e tij ka prodhuar këso gjenerata që 20 vjet” – thotë Gashi.

Ai ka shtuar se BIK nuk ka kontroll mbi të gjithë ata që besojnë në islam.

“Ka rryma të tjera e njerëzit kanë të drejtë me pasë edhe një BIK të dytë. Me ligj mund të ndahen bashkësitë” – tha Gashi.

Teologu Mustafë Bajrami ka thënë se krijimi i një BIK-u të dytë do shkaktonte edhe më shumë probleme.

Kreshnik Gashi thotë se ende nuk ka udhëzim i cili do të ndalonte çdo ligjëratë që është jashtë kurrikulës shkollore.

“Kush don mund të hy në shkolla. DKA-të kanë nisur me dhënë disa leje speciale, po thotë tash po ta jap lejen shko ligjëro, por nuk ka mekanizëm me mbikëqyrë” – tha Gashi.

Kosova në muajt e fundit është përballur me shtim të incidenteve mes komunitetit islam ndërsa Qeveria është kritikuar për mungesën e masave dhe vonesat në hartimin e strategjisë kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.