Mursel Zymberi nga Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës

Zymeri: Për një familje 5-anëtarëshe asistenca është deri në 120 euro

Në emisionin KallxoPërnime po diskutohet rreth rritjes së çmimeve të naftës, energjisë elektrike, produkteve esenciale, ushqimit dhe shërbimeve tjera.

Mursel Zymberi nga Shoqata e Shërbimit Civil të Kosovës ka thënë se për një familje 5-anëtarëshe asistenca sociale është deri në 120 euro dhe në kuadër të kësaj shume i ka përfitimet që i paguhet rryma deri në një vlerë rreth 20 euro.

“Për një familje 5-anëtarëshe asistenca sociale është deri në 120 euro dhe në kuadër të kësaj shume i ka benefitet që i paguhet rryma deri në vlerën 18-20 euro. Ka shërbimet administrative dhe kontrollet mjekësore por nuk i ke barnat sepse ato kushtojnë shumë”, ka thënë Zymberi në emisionin “Kallxo Përnime”.

“E kam vërejtur që muajve të fundit, me trishtim vijnë palët dhe pyesin: “A mu ka vazhdu ndihma sociale?” Me bo me i thonë që nuk i ke plotësu kriteret ose ruaju se fëmija i bën 5 vjet, nuk është e lehtë me e përjetu atë ambient”, ka shtuar ai.

Zymberi ka shpjeguar kriterin përllogaritës që tregojnë se sa përfitojnë familjet në asistencë sociale.

“Tash e kanë bërë një kriter përllogaritës më i lehtë: personi i parë në familje merr 70 euro, të dytit i shtohen plus 20 e bëhen 90 dhe tash i treti, i katërti dhe i pesti e gjashti vetëm nga 10 euro i shtohen. Me bo llogaritjen është shumë lehtë mirëpo, nuk është e njëjtë, sikur një familje që është vetëm i papunë dhe merr atë shifër sikur familja tjetër që është edhe i papunë dhe i sëmurë. I shtohet barra tjetër që nuk ka para për barna që t’i blejë”, ka treguar Zymberi.

Tutje ai ka theksuar se interesat e qytetarëve nuk po merren parasysh dhe se duhet të ketë një trajtm më dinjitoz të tyre.

“Nuk po merren parasysh interesat e qytetarëve por edhe të administratës. Duhet një trajtim dinjitoz. Po lejohet rritja e çmimit të rrymës, ngritja e çmimit të produkteve ushqimore dhe në anën tjetër asnjë rritje të pagave nuk e kemi qe 10 vite. Njëherë një 5% i pagës ka ndodhë ngritje dhe kurr më nuk ka pasë ngritje”, ka thënë Zymberi.

Tutje, Zymberi ka shtuar se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale po i refuzojnë debatet dhe se do të duhej një ministër më profesionist në trajtimin e çështjes së familjeve në asistencë sociale.

“Ministria e Punës nuk po na vjen as në takim. Për dy herë me radhë që jemi në debate nuk vijnë. Do të duhet të ekzistonte një ministri e veçantë me një ministër shumë profesionist, e jo të fuzionohet në kuadër të Ministrisë së Financave dhe Transfereve dhe ia kanë humb vlerën komplet Departamentit të mirëqenies sociale sepse ky departament do të duhej të jepte mendimin për kategori të caktuara”, ka deklaruar Zymberi.