Kryetari i Sindikatës: Koeficienti i shërbyesve civilë në nivelin lokal është më i ulëti nga të gjitha kategoritë
Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, Mursel Zymberi, ka folur për koeficientin e shërbysve civilë në projektligjin e ri për paga.
Ai ka thënë se ndër vite janë kategoria më e shkelur e të gjithë shërbyesve publikë të vendit.
“Kategoria e shërbyesve civilë në nivelin lokal është më e ulëta, nga koeficienti 8 deri në koeficientin 2.8 Nuk ka shifër më të vogël nën 2.8. Niveli lokal është i lënë anash”, ka thënë Zymberi për KALLXO.com.
Zymberi ka thënë se ky projektligj është bërë pa pjesëmarrjen e kësaj sindikate në grupet punuese.
“Ky ligj është i bërë pa pjesëmarrjen tonë në grupe punuese si sindikatë dhe si shërbyes civilë, dhe nuk mund t’i kënaq apetitet tona duke marrë parasysh edhe pozitën tonë që ndër vite kemi qenë kategoria më e shkelur e të gjithë shërbyesve publikë të vendit”, ka thënë Zymberi.
Ndërsa sa i përket vlerës së koeficientit e cila ende nuk dihet, Zymberi tha se në takimin e fundit me këshilltarët e Ministrisë së Brendshme kanë pyetur se sa do të jetë vlera e koeficientit por nuk kanë marrë përgjigje.
“Është për t’u habitur se si kanë dalë me një projektligj të tillë më një katalog pa e qit shifrën se sa është vlera e koeficientit”, tha ai.
Mursel Zymberi tutje tha se ndonëse nuk dihet vlera e koeficientit, shërbyesit civilë janë prapë nën arsim dhe shëndetësi dhe sektorin e drejtesisë.
“Edhe kësaj radhe shohim se koeficienti tek shërbimi civil ëshë prapë koeficienti më i ulët, aq më tepër tani që nuk dihet vlera e saktë e koeficientit por që jemi prapë nën arsim dhe shëndetësi dhe sektorin e drejtësisë kjo po nënkuptohet”, shtoi ai për KALLXO.com.
Zymberi tha se Qeveria Kurti e ka mbyllur dialogun social me sindikata dhe asnjëherë nuk i ka ftuar krerët e sindikatave për të biseduar me ta.
“Qeveria Kurti e ka mbyllur dialogun social me sindikata, bile ka shkuar edhe më larg duke provuar me i ofendu dhe përça sindikatat, ne e kemi ruajtur unitetin sindikal por dialogu me qeverinë me asnjë sindikatë nuk ka qenë. Asnjëherë nuk e ka marrë guximin me i thirrë krerët e sindikatave dhe me bisedu me ta dhe me pa veten se ku është dhe me pa se çfarë pranohet dhe çfarë jo”, ka thënë tutje Mursel Zymberi.
Në projektligjin e ri për paga, janë përcaktuar koeficientët e rinj të pagave edhe për nëpunësit e shërbimit civil, nëpunësit e administratës së shërbimit publik dhe nëpunësit teknik dhe mbështetës.
Kategoria e shërbyesve civilë në nivelin qendror dhe lokal nuk do të kenë koeficient të njëjtë.
Vlera më e ulët e koeficientit në kategorinë e shërbyesve civilë është 2.8 e cila është për shërbyesit civilë në Agjenci Ekzekutive, Komuna dhe Administratë të Shërbimit Publik (roje, kopshtar, shtëpiak, mirëmbajtës, autolarës, rrobalarës dhe pozita të ngjashme).
Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.
Sipas vendimit të Gjykatës, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkaktonte “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.
Sipas këtij ligji, paga bazë konsiderohet ajo pjesë e pagës, që përfitohet për punën e kryer me orar të plotë të punës. Vlera kësaj page bazë llogaritet duke shumëzuar koeficientin e klasës së pagës me vlerën monetare të koeficientit.
Koeficienti më i lartë sipas këtij ligji ka qenë 10. Këtë koeficient e mbante vetëm presidenti i vendit, më pas është niveli i 9, ku bënin pjesë kryetari i kuvendit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese.
Ndërsa projektligji i ri koeficientët i ka deri në 20.
Projektligji i ri për paga në sektorin publik nuk është miratuar ende në Qeverinë e Kosovës.