Kuvendi Komunal i Prishtinës, Foto: KALLXO.com

Miratohet financimi i shujtave për shërbyesit civilë nga Komuna e Prishtinës

Me 27 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim kaloi propozim-vendimi për financimin-pagesës së shujtës ditore për shërbyesit civilë të Komunës së Prishtinës në mbledhjen e shtatë të Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës.

Ky propozim është bërë nga asamblistja Jeta Rafuna-Hasani nga LDK, pasi ka qenë kërkesë e Sindikatës së Pavarur e Punëtorëve të Komunës së Prishtinës.

Për këtë propozim pati diskutime pasi që drejtoresha e Financave, Valbona Ahmeti-Makolli tha se kjo kërkesë edhe nëse miratohet shkon në Ministrinë e Financave, pasi që është kategori e pagave dhe mëditjeve, e cila menaxhohet nga kjo ministri.


Asamblistët diskutuan për ta bërë një zgjidhje që është kompetencë e komunës.

Madje Leutrim Retkoceri nga PDK, e Sami Boroci nga AKR kërkuan që kjo pikë të shtyhet për tu qartësuar.

Mirëpo, Rafuna-Hasani nuk e tërheqi propozimin.

Gëzim Sveçla shfaqi pakënaqësinë e tij ndaj Rafuna-Hasanit duke thënë se para se të bëhej propozimi ajo është dashur ta gjejë mënyrën e duhur.

E pas kësaj asamblistët e VV-së e lëshuan sallën.

Ndërkohë, para votimit, Sami Boroci tha se në çfarë do versioni që kjo kërkesë miratohet duhet të jetë shujtë prej 3 eurove, e jo 5 sa është kërkuar nga Sindikata për 750 punëtorë.

E po ashtu kërkoi nga shërbyesit civilë që ta ndërprejnë grevën, pasi që ka shumë kërkesa të qytetarëve.

Sot u miratua edhe buxheti i Komunës së Prishtinës dhe korniza afatmesme, gjatë të cilave po ashtu munguan asamblistët e Vetëvendosjes.