Komisioni i Zhvillimit Ekonomik - Foto: KALLXO.com

Miratohet Raporti i AKP-së me Rekomandime

Komisionit për Zhvillim Ekonomik miratoi raportin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) me disa rekomandime, duke përfshirë zgjidhjen e lëndëve në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.

Kryesuesi i Bordit të AKP-së, Petrit Gashi theksoi se sfidat kryesore gjatë vitit të kaluar kanë qenë shpërndarja e 20 përqindshit për punëtorët si dhe kontrolli dhe monitorimi i ndërmarrjeve shoqërore.

“Të arriturat kryesore gjatë vitit 2015 kanë qenë përkushtimi i personelit të Agjencisë në tejkalimin e sfidave të paraqitura, shpërndarja e 20 përqindëshit për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore, rritja e efikasiteit në kontrollimin dhe monitorimin e ndërmarrjeve shoqërore, ndërmarrjeve të shitura me spin-off special dhe ndërmarrjeve të privatizuara me kushte, drejtimi i duhur i aseteve të uzurpuara dhe inkasimi i të hyrave nga qiraja”, tha Gashi

Gashi po ashtu theksoi se gjatë vitit 2015 nuk ka pasur shitje të aseteve e as shitje të ndërmarrjeve të reja për shkak mungesës së Bordit.

Raporti i AKP-së pasqyron të hyrat e qirasë nga asetet e uzurpuara, të cilat prej nëntorit të vitit 2014 e deri në fund të vitit 2015 kishin arritur vlerën në 33.4 milionë euro, 77 për qind më tepër se sa ishin inkasuar për 12 vitet e kaluara të cilat në total ishin  4.5 milionë euro .

Raporti për vitin 2015 tregon edhe për shpërndarjen 8 milionë eurove për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore si pjesë e 20 përqindëshit që u takon sipas ligjit, duke e arritur shifrën totale në 104 milionë euro, e në fund të vitit 2015 ishin të mbetura edhe 25 milionë euro të cilat presin vendimet finale të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.

Raporti flet edhe për uzurpatorët. Në dhjetor të vitit 2015 kishin qenë 270 asete të cilat kishin qenë të shfrytëzuara pa kontratë, prej tyre 167 raste të uzurpimeve kishin qenë uzurpime klasike, duke mos i njohur autoritetet administrative të AKP-së , e prej tyre ishin liruar 116 prona, kurse në 194 raste ishin nënshkruar kontratat e qirasë për të paguar borxhet dhe për të legalizaur shfrytëzimin e tyre.

Po ashtu, raporti bën krahasimin mes vitit 2014 dhe 2015. Këtu vërehet se ka progres në rritjen e të hyrave te inkasimet e qirasë, të cilat në vitin 2014 ishin 1.9 milion euro, kurse në vitin 2015 kanë arritur në 33.4 milionë euro.

Kryesuesi i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, kërkoi nga AKP-ja që deri në shtator të përgatit një plan strategjik, i cili duhet të përmbajë detajet e përfundimit të procesit të privatizimit.

“Ne duhet të bëjmë racionalizmin e mjeteve të mirëbesimit, neve vetëm shpenzime të stafit për AKP-në na kushtojnë rreth 10 milionë euro, e nëse kemi një zgjatje të këtij procesi atëherë kostoja e transakcionit të privatizimit bëhet shumë e madhe që mund të ndikojë edhe në dëmtimin e substances. Ne si komision po propozojmë që deri në shtatorë të na e sjellni një plan detaj si mendoni me e përfundu krejt procesin e privatizimit, nevojitet një strategji e përmbylljes së procesit”, tha Mustafa

Komisioni propozoi që të mbahet një seancë e Kuvendit ku duhet të diskutohet dhe të merret një vendim nga Qeveria për trajtimin e rasteve të grumbulluara në Dhomën Speciale, të gjendet një zgjidhje si të përfundohen rastet që të mos ketë probleme me dekada.