Ministri u Kërkon Prindërve të Kujdesen për Fëmijët në Internet

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka promovuar Udhëzuesin për mbrojtjen e fëmijëve në internet “Udhëtimi nëpër internet”, në 27 vjetorin e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve

Ky Udhëzues është material edukativo- arsimor i dedikuar për nxënësit e klasave 3-5.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, me këtë rast ka bërë thirrje për kujdes të shtuar të prindërve dhe mësimdhënësve për përdorimin e internetit nga fëmijët.

“Rreziqet që sjellë përdorimi i internetit janë shqetësim global, duke ditur se po jetojmë në kohën e promovimit të teknologjive të reja dhe të mësimit digjital, ku fëmijët kanë një rol shumë të rëndësishëm dhe interneti po shndërrohet në mjet mësimor”, tha Ministri Bajrami.

“Përmes internetit, Ministria e Arsimit dhe Qeveria e Kosovës mendon të realizojë projektin e shkollave digjitale. Kalimi nga shkolla klasike në një shkollë digjitale dhe moderne do të bëhet me një transcion të kujdesshëm. Ministria e Arsimit do të krijojë edhe mekanizma mbrojtës, sidomos nga viti i ardhshëm kur ne do të promovojmë edhe e-portalin. Ne do të kujdesemi që dritarja e parë e udhëtimit në internet të jetë e mbrojtur dhe të ofrojë një edukim pozitiv, në mënyrë që interneti vërtetë të jetë një mjet mësimor për edukim pozitiv”, është shprehur ministri Bajrami.

Doracaku kryesisht promovon opsionet e sigurta për kërkim në internet në faqet si Google,  Youtube etj, të përcjella me këshilla për sjellje dhe veprime gjatë punës në internet.

Bajrami gjithashtu është zotuar për implementimin e mësimit të digjitalizuar në më shumë se 13 shkolla, nga sa funksionon tani.