Ministri Valdrin Lluka dhe drejtori i “Counter Global”, Joseph Brandt - Foto: KALLXO.com

Ministri Lluka: Së Shpejti Kontrata për ‘Kosovën e Re’ Bëhet Publike

Pas nënshkrimit të marrëveshjes për financimin e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka tha se marrëveshja siguron pavarësimin energjetik të Kosovës.

Ministri Lluka tha se për t’u finalizuar marrëveshja është dashur kompromis nga të dyja palët.

“Kjo marrëveshje i ka disa kritere specifike. Është një projekt që ka investim 1.3 miliard euro, që ka ndikim në zhvillimin ekonomik, pasi që do të të punësohen 10 mijë vetë”, shtoi ministri.

Sipas tij, kjo marrëveshje është një referencë për investitorët e tjerë të huaj.

“Ka benefite të shumëfishta. Së shpejti kontrata do të bëhet publike, gjithçka do të jetë e hapur për publikun”, premtoi ministri Valdrin Lluka.

I pranishëm në këtë konferencë për media ishte edhe Joseph Brandt, drejtori ekzekutiv i kompanisë “Contour Global”.

Brandt tha se nuk sheh ndonjë vështirësi të parashikueshme për planifikimin e projektit.

“Nuk shoh kapitalin si një problem. Kemi shumë interes në këtë projekt, kështu që nuk shoh që kapitali të jetë një gjë problematike”, tha ai.

Po ashtu, Brandt tha se teknologjia që do të përdoret këtu është teknologji e dëshmuar nëpër termocentrale në botë.

Për vonesat, drejtori i “Contour Global” tha se nuk do ta fajësonte Qeverinë e Kosovës.

“Patëm një krizë financiare botërore dhe disa kompani u tërhoqën, pastaj patëm edhe krizën greke. Nuk ka qenë për shkak të vonesave të Qeverisë së Kosovës. Është mirë që ne po zotohemi para se të vijë një krizë tjetër”, theksoi ai.

KALLXO.com e transmetoi LIVE këtë konferencë për media.