BIRN dhe KOSID fitojnë betejën kundër Ministrisë së Mjedisit për ndërtimin e termocentralit nga "Contour Global"

Këtë muaj (mars 2023) u bë i plotfuqishëm vendimi i Gjykatës së Prishtinës, i cili obligon Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të anulojë pëlqimin që i ka dhënë kompanisë “Contour Global” më 27 dhjetor 2018 për të ndërtuar termocentralin e tretë me qymyr në Kosovë. 

Në shkurt të vitit 2019, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) në kuadër të KOSID-it, Konsorciumit për Shoqëri Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm kishte kontestuar ligjshmërinë e vendimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), e cila më 2018 kishte dhënë pëlqim mjedisor për ndërtimin e termocentralit të tretë në Kosovë nga ana e “Contour Global”.

Në seancën që është mbajtur më 12 janar në Gjykatën e Prishtinës ishin prezentë Jeta Xharra,  drejtoreshë e BIRN-it dhe Labinot Leposhtica, juristi kryesor në BIRN, të cilët argumentuan para gjykatësit Kreshnik Kaçiu se pse Gjykata duhet të vendosë në favor të qytetarëve në këtë rast.

“Përkundër faktit që ‘Contour Global’ është tash në kontest arbitrazhi me Kosovën, gjykatat e Kosovës duhet t’i ndihmojnë qytetarët në atë mënyrë që të përdorim vendimin tuaj t’i edukojmë pushtetet e tanishme dhe të ardhshme që nuk mund të marrin vendime që e dëmtojnë edhe shëndetin e edhe ambientin tonë duke ndërtuar termocentrale të reja me qymyr” – ka thënë Jeta Xharra.

Sipas Xharrës, të dhënat e hoqatës së Pulmologëve tregojnë që numri i të prekurve me kancer është pesëfish më i lartë në rrafshin e Kosovës sesa në atë të Dukagjinit, gjë që i atribuohet faktit që kjo pjesë e Kosovës vuan nga ajri i ndotur që vjen kryesisht nga termocentralet me qymyr.

Xharra argumentoi se është ironike se si pikërisht nën vellon e “pëlqimeve mjedisore” të Ministrisë së Ambientit ishin dëmtuar edhe uji, malet, toka dhe ajri i Kosovës gjatë pasluftës dhe kërkoi nga Gjykata që të ndihmojë qytetarët që t’ua ndalë turrin këtyre “pëlqimeve” të institucioneve që kishin vendosur në shumicën e rasteve kundër interesave të qytetarëve.

Në seancë munguan përfaqësuesit e Avokaturës së Shtetit, të cilët e kishin kontestuar padinë e BIRN-it me shkrim.

Pas kësaj seance, Gjykata e Prishtinës vendosi në favor të BIRN-it, duke nxjerrë vendim me të cilin obligon Ministrinë që të anulojë pëlqimin që ia ka dhënë “Contour Global”-it për të ndërtuar termocentralin. Pas pritjes së afateve të ankimimit, në mars ky vendim u bë i plotfuqishëm.

Labinot Leposhtica, juristi kryesor i BIRN-it, argumentoi para Gjykatës se pëlqimi mjedisor nga MMPHI ishte lëshuar pa bërë vlerësimin për ndikim në mjedis dhe pa debat të duhur publik me qytetarë.

Në arsyetimin e vendimit, gjyqtari i çështjes, Kreshnik Kaçiu, ka vlerësuar se vendimi i Ministrisë ka të meta të cilat shkelin dispozitat e Ligjit për Procedurën Administrative.

“Vendimi i kundërshtuar (nga MMPHI) është juridikisht i paqartë dhe kundërthënës me vetveten dhe me arsyetimin e tij” – thuhet në vendimin e Gjykatës.

Gjykata me aprovimin në tërësi të padisë së BIRN-it ka obliguar Ministrinë që për çështjen në fjalë ta rishqyrtojë dhe të rivendosë për të duke u bazuar dhe përgjigjur të gjitha pikave të padisë.

BIRN ka paditur Ministrinë mbi bazën se vendimi i cili jep lejen për ndërtimin e termocentralit është marrë në kundërshtim me ligjin, sepse për atë vendim nuk ka pasur diskutim publik ashtu siç e parasheh legjislacioni në fuqi.

“Pëlqimi mjedisor i kontestuar (i MMPHI-së) është nxjerrë pa u mbajtur dëgjimet publike në të gjitha komunat e afektuara nga ndërtimi i termocentralit dhe, për më tepër, dëgjimi publik i mbajtur në Komunën e Obiliqit është mbajtur para se të ekzistojë zyrtarisht raporti për vlerësimin e ndikimit mjedisor, rrjedhimisht qytetarët që kanë marrë pjesë në këtë dëgjim publik kanë qenë të privuar nga informacioni bazik për t’i ditur ndikimet mjedisore të këtij projekti” – thuhet në padinë e BIRN-it.

BIRN në padi ka shprehur pretendimet se me këto veprime Ministria ka shkelur të drejtat e mbrojtura me Kushtetutë.

“Secili person juridik ose fizik ka të drejtë të informohet për gjendjen e mjedisit dhe të marrë pjesë në vendimmarrje” – thuhet në nenin 52 të Kushtetutës në të cilin është bazuar BIRN në padi.

Këto pretendime të BIRN-it janë kundërshtuar nga Avokatura e Shtetit, e cila ka përfaqësuar MMPHI-në, e cila ka kontestuar edhe legjitimitetin e BIRN-it për të bërë padi në emër të qytetarëve. 

Pretendimet e tilla janë refuzuar nga Gjykata, pasi që BIRN është organizatë joqeveritare që është e përkushtuar, mes tjerash, edhe ndaj mbrojtjes së ambientit. Më saktësisht, BIRN ka zbatuar projektin e Bashkimit Evropian për të përafruar politikat energjetike të Kosovës me Agjendën e Gjelbër evropiane së fundi në inciativën që ka përfshirë disa organizata të shoqërisë civile prej 2019-2022. 

Ndërsa që nga viti 2011, BIRN është pjesë e KOSID që ka luftuar për zhvillim të qëndrueshëm duke ofruar opsione që ka Kosova duke investuar në energji të ripërtrishme, zbatim të kodit të ndërtimit që do të siguronte efiçiencë në përdorimin e rrymës nëpër amvisëri dhe lidhjen me rrjetin e distribucionit të rrymës mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Në këtë drejtim BIRN është organizatë e përkushtuar për ta avokuar për mbrojtjen e ambientit në RKS  dhe për më tepër është pjesë e një konzerciumi i organizatave joqeveritare të emëruar si ‘KOSID’ e cila organizatë është aktivisht e përfshirë në debatet dhe politikat energjetike dhe ambientit të RKS” – thuhet në padinë e BIRN-it.

Ky vendim i Gjykatës është i plotfuqishëm që nga marsi i këtij viti. 

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zyrtarja për informim e Gjykatës së Prishtinës.  

Edhepse ky vendim vjen 3 vite pasi që padia ishte ngritur në Gjykatën e Prishtinës, rasti është i rëndësishëm sepse Strategjia e Energjisë e Qeverisë së Kosovës për 10 vitet e ardhshme, e aprovuar rishtazi, tregon që fondet kryesore të buxhetit të Kosovës do të përfundojnë në krijimin e resurseve të reja të energjisë nga qymyri.

Nga kjo Strategji nuk planifikohet që fondet kryesore të taksapaguesit të Kosovës të çohen në energji të ripërtërishme. Ajo u lihet investitorëve privatë e donatorëve, por qymyri e zë vendin kryesor me 200-500 milionë euro të planifikuara në ndërtimin e kapaciteteve të reja të qymyrit. 

Sipas këtij vendimi të Gjykatës, ndërtimi i termocentralit nuk mund të bëhet në fshehtësi, pa debat të duhur publik të komunitetit që afektohet nga termocentrali, që i bie Prishtina e shumë komuna të tjera në rrafshin e Kosovës e jo vetëm Obliqi.

Ky vendim, gjithashtu, e kritikon faktin që vendimi për pëlqim mjedisor ishte bërë pa përfunduar vlerësimi për ndikim në mjedis, gjë që do të duhej të bëhej nga pushtetet e ardhshme që planifikojnë të ndërtojnë resurse të reja energjetike nga qymyri në Kosovë.

Lidhur me këtë, Jeta Xharra komentoi se në të ardhmen do të matemi me atë se çka u kemi lënë gjeneratave të ardhshme të cilat nuk e meritojnë t’u lëmë hise tymin. 

“Betejën për ta ndalur termocentralin e qymyrit e kemi zhvilluar në 12 vitet e fundit me KOSID dhe kemi arritur t’i ndalim pushtetet e deritanishme që kanë dashur t’ua lënë hise tymin e kancerin gjeneratave të ardhshme. Nuk e kemi problem që edhe në dekadat e ardhshme ta vazhdojmë këtë betejë për t’i ndalur turrin e dëmtimit të ambientit dhe shëndetit tonë, sidomos kur po e shohim që ndoshta prej tash në krah i kemi gjykatat. Nuk ka gjë më të vlefshme sesa të luftosh që këtë tokë e këtë ajër që na ka rënë hise të mos dëmtojmë tutje” – tha Xharra.

Vendimi i Gjykatës për rastin BIRN KOSID vs Ministria e Mjedisit.