Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj: Kosova është në duar të mafias energjetike

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shfaqur akuza ndaj Qeverisë Kurti në lidhje me situatën me rrymë në vend.

Haradinaj në një publikim në Facebook ka shkruar se Kosova është në duar të mafias energjetike.

Ai i është referuar anulimit të projektit të ndërtimit të termocentralit me qymyr “Kosova e Re”, duke shtuar se kjo sipas tij ka ndikuar në krizën aktuale energjetike në vend.

“As unë nuk e kam besuar që për një kohë aq të shkurtër të vinte në pah gabimi strategjik i Qeverisë Kurti për anulimin e projektit Kosova e Re në Maj të 2020 i nënshkruar me kompaninë Amerikane Contour Global”, ka shkruar Haradinaj.

Ish-kryeministri ka theksuar se në vitin 2017 kur e kanë nënshkruar marrëveshjen kanë qenë të vetëdijshëm se thëngjilli nuk është e ardhmja e energjisë por, siç shprehet ai, Kosova nuk ka pasur alternativë të shpejtë që ruan qytetarin, garanton zhvillim ekonomik dhe ruan pavarësinë energjetike të Kosovës.

“Fatkeqësisht edhe refuzimi i gazsjellësit amerikan, së fundmi, do të sjellë pasoja të paparashikueshme për pozitën energjetike të Kosovës dhe jo vetëm”, thuhet mes tjerash në publikimin e tij.

 

Në mars të vitit 2020, “Contour Global” ndaloi planet për ndërtimin e një termocentrali me qymyr prej 500 megavatësh në Kosovë dhe tha se nuk do të bëjë investime të tjera në termocentrale nga qymyri.

Rruga e Errët e Termocentralit ‘Modern’