Enver Hoxhaj

Ministri Hoxhaj Sheh Rritje të Ndikimit Rus në Ballkan

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha sot në Kuvend se kohëve të fundit sheh një rritje të ndikimit të Rusisë në rajon.

Duke folur para anëtarëve të Komisionit parlamentar për Punë të jashtme, shefi i diplomacisë së Kosovës, foli për përceptimin zyrtar të Kosovës për gjendjen në rajon dhe punën e tij si ministër në katër muaj e parë në këtë pozitë.

“Ne jemi të shqetësuar me gjendjen në rajon. Kurrë më shumë se këto dy vitet e fundit, Ballkani nuk është kërcënuar më shumë. Po shohim një ndikim të madh të Rusisë në rajon prej vitit 2014 e këndej”, tha Hoxhaj.

Ai tha se ditëve të fundit, ministria e tij është angazhuar intensivisht në rastin e drejtorit të policisë për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi, i arrestuar javën e kaluar nga policia serbe nën dyshimet për “terrorizëm” ndërsa ka premtuar se “do të bëj çmos” për lirimin e tij.

“Këto janë gjëra të papranueshme nga ana e Serbisë. Ne si Qeveri e Kosovës do të marrim masa në raport me mbështetjen ligjore që mund t’i behet zotit Thaçi”, shtoi ai.

Duke folur për këtë rast, Hoxhaj tha se në dy- tri javët e fundit Serbia ka nisur një “agjendë provokuese”, duke filluar nga referendumi i serbëve të Bosnjës e deri te inteferimi në punët e brendshme të Kosovës.

Ai foli edhe vizitën e paralajmëruar, por të refuzuar në Kosovë të shefit të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Hoxhaj tha se “nëse Gjuriq sillet sikur herave të kaluara, atëherë edhe ne do të sillemi ashtu”.

Në këtë raportim, ministri i jashtëm tha se pret që deri në fund të vitit, Kosova të njihet edhe nga tri shtete tjera.