Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Listat e pritjes e performanca e klinikës, arsyet që çuan në shkarkimin e drejtorit të Ortopedisë

Gani Jashanica është shkarkuar nga pozita e drejtorit të Klinikës së Ortopedisë me Traumatologji me arsyetimin se nuk ka adresuar kërkesat për përmirësimin e gjendjes në klinikë.

Zvogëlimi i listave të pritjes, rritja e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe në kohë të arsyeshme, përmirësimi i menaxhimit të burimeve njerëzore janë disa prej kërkesave të ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari ndaj Jashanicës, sipas vendimit për shkarkim.

“Përkundër këtyre kërkesave dhe paralajmërimeve, prapëseprapë lista e pritjes nuk është zvogëluar, nuk është përmirësuar ofrimi i shërbimeve shëndetësore dhe në vazhdimësi ka pasur neglizhencë në planifikimin dhe kryerjen e porosisë për material harxhues, me këto veprime imazhi i klinikës nuk është përmirësuar” – thuhet në vendimin e datës 28.03.2024 nga Osman Hajdari.

Vendimi për shkarkimin e drejtorit të Ortopedisë, Gani JashanicaNë vend të Jashanicës, ushtrues detyre i drejtorit të Ortopedisë është emëruar Xhavit Gashi.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Jashanica tha se nuk pajtohet me vendimin.

“Më sulmojshi ju gazetarët e krejt pa kanë fajtor unë hiç, lista e pritjes, lista e pritjes. Kështu që u lodha” – shtoi Jashanica, pa dhënë më shumë detaje.

Në Ortopedi ka pacientë që presin që nga viti 2019 për vendosjen e protezave.

Gjatë raportimit të tij para Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, më 10.02.2024 Jashanica kishte thënë se këto lista janë për shkak të mungesës së protezave që vijnë si pasojë e çmimit të shtrenjtë të tyre.

Një tjetër arsye, ai kishte thënë se është edhe mungesa e anesteziologëve për të asistuar në operacione.

E, madje sipas tij anesteziologët neglizhojnë punën duke vendosur standard të dyfishtë mes sektorit publik dhe atij privat.

“Na nganjëherë punojmë në privat, edhe e dimë se atje anesteziologët i ‘kryejnë’ nga 9-10 operacione brenda ditës, e këtu 1-2” – ishte shprehur ai.

Në këtë mbledhje, Jashanica ishte përballur me kritika edhe për shfrytëzimin e shtretërve e cila gjatë vitit 2023 ishte 46 për qind dhe për numrin e operacioneve që ishte 1 mijë e 950.