Ministri dhe Rektori Vizitojnë ‘Brucoshët’

Me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2016/2017, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, së bashku me rektorin e Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, vizituan studentët e rinj në ambientet e fakulteteve dhe Qendrës Studentore.

Gjatë vizitës në Fakultetin e Mjekësisë, ministri Bajrami theksoi se studentët e rinj të këtij fakulteti do të kenë perspektivë pasi sipas tij janë përzgjedhur sipas standardeve.

“Ju të nderuar studentë, brucoshë, mjekë të ardhshëm, keni pasur fatin e madh që në një konkurrencë të madhe të zgjidheni si më të mirët në bazën e meritave. Tanimë Universiteti i Prishtinës ka ndërtuar standardin dhe kredibilitetin e meritave”, tha ministri.

Ndërkaq studenti i ri i Farmacisë, Rrezart Krasniqi, u shpreh optimist dhe ambicioz në drejtimin që ka zgjedhur.

“Unë jam në drejtimin e Farmacisë. Besoj që do të përkushtohem shumë për t’u bërë një farmacist i mirë dhe të punoj në laborator”, tha Krasniqi për KALLXO.com.

Ministri së bashku me rektorin gjithashtu vizituan Qendrën Studentore për të parë nga afër vendosjen e studentëve në konvikte dhe ushqimin e tyre në mensë.

Rektori Dema u zotua se Universiteti “Hasan Prishtina” do t’u qëndrojë afër studentëve të kësaj qendre për të dëgjuar pakënaqësitë eventuale.

“Për një mandat shumë të shkurtër kjo është hera e katërt që kam ardhur në këto hapësira dhe do të vijmë edhe më shpesh, të dëgjojmë shqetësimet, hallet e studentëve në mënyrë që vërtetë të kemi sukses sa më të madh”, tha Rektori Dema.

KALLXO.com ka raportuar për renovimet e bëra në konvikte dhe mensën e studentëve për fillimin e vitit të ri akademik.

http://kallxo.com/qendra-e-studenteve-pergatitet-per-pritjen-e-studenteve/