Ilustrim

Më këto aktivitete shënohet Dita Ndërkombëtare e Vajzave

Në Kosovë sot do të shënohet Dita Ndërkombëtare e Vajzave, me ç`rast USAID në partneritet me IPKO-n do të organizojnë aktivitete lidhur me këtë ditë.

Tema e sivjetme është DNV, “Bashkë me të: Fuqia Vajzërore e Shkathët” dhe fokusohet në të mësuarit përmes bërjes dhe edukimin si mjet fuqizimi i vajzave për të hyrë në profesione të dominuara nga meshkujt, me theks të veçantë në sektorin e teknologjisë informative dhe të komunikimit (TIK).

Dita Ndërkombëtare e Vajzave festohet më 11 tetor nga viti 2012 e tutje.

Kosova mbështet këtë nismë botërore dhe, me ndihmën e USAID-it, ka shënuar këtë ditë që nga viti 2012. IPKO Foundation [IF – Fondacioni IPKO ], filloi të mbështesë këtë kauzë në vitin 2014 dhe këtë vit shënon pesëvjetorin e kësaj mbështetjeje.

Gjatë viteve, IF me krenari ka frymëzuar më shumë se 300 nxënëse nga 10 komuna të ndryshme përmes aktiviteteve të llojllojshme në pjesë të ndryshme të Kosovës.

USAID-i, përmes programit të tij Mbështetja e Adoleshentëve Pas Mësimit të Rregullt po adreson nevojën e zhvillimit të shkathtësive të buta me qëllim të rritjes së punësimit së të rinjve përmes organizimit të qendrave për zhvillim të karrierës dhe ndërmarrësisë, duke nxitur në këtë mënyrë zhvillimin e edukimit sipërmarrës dhe karrierës si dhe vendosur lidhje në mes të nxënësve nga shkollat partnere në tetë komuna me punëdhënës dhe komunitete.