Ilustrim

Buxhetimi diskriminues ndaj klubeve sportive dhe OJQ-të e grave dhe vajzave

Pavarësisht dispozitave ligjore në Ligjin për Barazi Gjinore, gratë përfitojnë dukshëm më pak sesa burrat në Kosovë. Sipas Ligjit për Barazi Gjinore burrat ashtu dhe gratë duhet të përfitojnë njëjtë për punën e njëjtë. 

Buxhetimi gjinor është një strategji për të arritur barazinë midis grave dhe burrave me fokus në mënyrën e mbledhjes dhe shpenzimit të fondeve publike.

Kosova ka një kornizë të shëndoshë ligjore për promovimin e barazisë gjinore. Kushtetuta garanton barazi gjinore për burrat dhe gratë, duke siguruar mundësi të barabarta dhe pjesëmarrje të barabartë të grave dhe burrave si një vlerë themelore demokratike. 

Sipas Programit për Barazi Gjinore 2020 – 2024, gratë në Kosovë, përfitojnë dukshëm më pak nga fondet publike. Siç thuhet në këtë Program, problemi kryesor në fushën e fuqizimit ekonomik dhe mirëqenies sociale është prania e pabarazive dhe përjashtimi socio- ekonomiko strukturor.

Ndërkaq, në një tryezë diskutimi, Instituti Demokratik i Kosovës javën e kaluar, potencoi se mospjesëmarrja e grave në buxhet e vështirëson pjesëmarrjen e grave në jetën politike, duke e bërë pozitën e grave të pabarabartë në raport me burrat, duke nxitur mospjesëmarrje të grave në aktivitetin politik. 

Sipas KDI-së, legjislacioni në Kosovë nuk parasheh ndarje të ndonjë përqindje specifike të buxhetit për gratë. 

Në disa klube sportive të vajzave dhe organizata joqeveritare janë shprehur të pëkënaqur me buxhetin të cilin e marrin nga komunat në të cilat veprojnë.

Pakënaqësitë e klubeve sportive

Kosova ka një listë të gjatë të vajzave dhe grave që në arenën ndërkombëtare e kanë përfaqësuar vendin dhe disa herë janë kthyer edhe me medalje. 

Klubi i Hendbollit të Vajzave në Istog ka fituar titullin e kampionit dy herë. Në vitin e kaluar, kur u zgjodhën kampion, trajneri i skuadrës istogase, Faruk Shala thotë se morën nga komuna 6,327 euro. 

Por këto mjete, për këtë ekip janë të vogla krahasuar me suksesin e madh që kanë arritur. 

“Me të thënë të drejtën, ne jemi skuadra me më së shumti emër dhe kemi qenë të pakënaqur me atë buxhet sepse jemi klubi që jemi shpallë disa herë klubi më i miri dhe nuk kemi humbur asnjë ndeshje, kemi fitu titullin e kampionit kupën e Kosovës që do të thotë se si grup kemi mendu që meritojmë më shumë edhe në raport me grupet tjera por tash qajo na u ka nda” – ka thënë Shala. 

Procedurat për përfitimin e mjeteve nga komuna, Shala thotë se deri këtë vit është bërë përmes thirrjes publike. Ndërkaq, prej vitit 2023, ai thotë se asambleja komunale ka miratuar një rregullore për kategorizim. 

“Deri në këtë vit, e kemi pasur me shpallje për aplikim, prej këtij viti e kanë bërë, asambleja komunale e ka miratu një rregullore për kategorizim dhe afati i dërgimit të dokumenteve është deri më 23 mars, dhe pastaj sipas kategorizimit ndahet buxheti për këtë vit. Deri në vitin 2022 është bërë përmes thirrjes publike. Në të kaluarën u kanë me projekt, ka qenë edhe në bazë të nivelit të garës ku klubi merr pjesë dhe shpenzimeve që i kanë. Por ka qenë problem se deri më tash buxheti i përgjithshëm ka qenë i vogël dhe kryesisht klubet kanë qenë të pakënaqura” – ka thënë ai. 

Sipas Shalës, në vitin e kaluar klubi i ka marrë rreth 6 mijë euro dhe se janë të pakënaqur. 

“Deri në vitin 2022 kemi marrë diku në mes të vitit – korrik ose maj, kurse në vitin 2022 e kemi marrë në fund të vitit. Në vitin e kaluar klubi i ka marrë rreth 6 mijë euro. Ne si klub jemi kanë të pakënaqur me qat buxhet sepse meritojmë ma shumë në raport edhe me klubet tjera në përgjithësi. Po presim këtë vit me pas më meritor që në Kosovë jemi shpallë disa herë fitues, s’kemi pasë humbje në asnjë ndeshje, kemi fitu kupa” – u shpreh ai. 

Trajneri i ekipit të futbollit të vajzave “16 Qershori”, nga Malisheva, Alban Krasniqi ka deklaruar se mjetet të cilat iu kanë ndarë në vitin e kaluar nuk kanë qenë të mjaftueshme. 

Krasniqi thotë se vitin e kaluar kanë aplikuar me projekt mbi 10 mijë euro, pasi kanë paraparë të gjitha shpenzimet dhe si rezultat kanë marrë vetëm 3 mijë e 900 euro.

“Në vitin e parë ka qenë 1000, vitin e dytë 2,500 tani në vitin e tretë 3900. Edhe pse ndoshta kanë mujtë edhe më shumë. Bëhet në bazë të shpalljes, në bazë të pjesëmarrjes në gara dhe aty mundeni me vërejtë dallimin. Çdo herë bëhet shpallja publike për mbështetjen dhe ne aplikojmë me projekt që do të thotë aplikojmë për shumë më shumë për me i mbulu nevojat por sipas komisionit qysh te shohin ata më të arsyeshme. Vitin e kaluar kemi apliku për 18 mijë, me një shumë që ne e kemi paraparë të gjitha shpenzimet se çka na shkojnë për një vit të garave” – ka thënë ai. 

Trajneri i klubit të futbollit në Malishevë tregon se kjo shumë e përkrahjes është vetëm simbolike, pasi nuk i mbulon nevojat e klubit as për së afërmi.

“Nuk janë të mjaftueshme këto që i kemi sepse i kemi 40 vajza, dy ekipe. Jemi mirë me rangime.

Tash pritet me u shpallë thirrja. Nuk kemi ndonjë farë kriteri që është prezant përveç aplikimit që e bëjmë dhe e presim rezultatin dhe e shohim se ku i kanë nda. Nuk ka ndonjë arsyetim përse dikujt ju është nda më shumë, nuk na njoftojnë asgjë. Po flas për ekipin tonë, kjo shumë që na mbështesin është veç sa me thënë” – ka thënë ai duke shtuar se vetëm një herë në vit marrin mjete. 

 

Përkrahja ndaj OQJ-ve të udhëhequra nga gratë  

Në komunën e Malishevës vepron vetëm një organizatë – “Fatjona” e cila për mision ka fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave në vise rurale.

Drejtoresha Fatime Limaj ka deklaruar për KALLXO.com se kanë aplikuar së fundmi me 3 mijë euro projekt por iu janë aprovuar vetëm 1,600 euro.  Sipas saj, kjo ka zvogluar edhe jetëgjatësinë e zhvillimit të aktivitetit. 

Limaj thotë se buxheti i mangët për të dhe gratë që punojnë me to është dëshprues. 

“Kur aplikojmë me projekte na përkrahin, kaniherë po, kaniherë jo. Ne kur të dorëzojmë projektin e parashohim një çmim për tre muaj një projekt, na e zvogëlojnë projektin, marrim mjete më pak, e bëjnë për një muaj. Në bazë të mjeteve që na i qesin, ne edhe i realizojmë projektet. është një brengë se t’i i parasheh ndryshe. Në projektin e fundit kam apliku me 3 mijë euro, me 1, 600 euro ma kanë aprovu projektin”, tregoj ajo.

“E kam paraparë projektin për tre muj, e kanë bë për një muaj. Nashta i konsiderojnë që kanë përparësi klubet sportive por edhe buxheti i komunës është i vogël. Por të penalizon se edhe unë i tregoj edhe grave çfarë kemi kërku edhe presin edhe ato me pasë një trajtim dinjitoz, por s`kemi çka me bë” – ka thënë ajo. 

Përfaqësuesja nga organizata “Flaka” në Lipjan e cila është e themeluar që nga viti 1997, ka ndarë një përvojë të para pesë vitesh kur kishin aplikuar me një projekt dhe nga shuma që iu dha ishin zhgënjyer dhe kishin hequr dorë.

“Para pesë vitesh kemi apliku na, mirëpo shumën që e ofruan ata nuk mujshe me bë kurrgjë nga ato që kemi planfiku dhe e kemi anulu, nuk kemi provu më. Ndoshta si kanë pasë as ata [komuna] mundësitë e as kriteret, por ato që i kanë ofru tek ne, nuk e kanë mbulu aktivitetin. Ne e kemi ofru, 3 mijë ata na i kanë ofru 500-600 euro, nuk e kemi pranu. Ma nuk kemi apliku” – ka thënë ajo. 

 

Çka thonë Komunat? 

Komuna e Malishevës në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se gjatë vitit 2022 ka ndarë mjete financiare për organizata që drejtohen nga gratë, por që për fokus apo projekt-propozimet e tyre nuk kanë qenë të fokusuara për të drejtat e grave.

Sipas përgjigjes së tyre, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka të planifikuara në buxhetin e vitit 2023 80,000 euro për subvencionimin e projekt-propozimeve të organizatave të shoqërisë civile të cilat veprojnë në Komunën e Malishevës.

“Momentalisht jemi në fazën përfundimtare të përgatitjes për shpalljen e thirrjes publike për subvencionimin e OJQ-ve. Gjatë këtij muaji bëhet shpallja” – thuhet në përgjigjen e Komunës së Malishevës. 

Sipas tyre, kanë ndarë mjete financiare për klube sportive të vajzave, konkretisht në futboll, volejboll dhe hendboll. 

“Malisheva ka shumë vajza të angazhuara në këtë fushë. Vlera financiare që kanë përfituar klubet sportive të vajzave sillet rreth 25,000 euro. Vlera financiare që kanë përfituar klubet sportive të vajzave sillet rreth 25.000 euro. Për vitin 2023 shuma totale është 80.000 dhe varësisht nga projekt-propozimet do të financohen edhe këto klube apo OJQ” – thuhet në përgjigjen e Komunës së Malishevës duke shtuar se të gjitha klubet sportive dhe OJQ-të kulturore dhe rinore qe veprojnë në Komunën e Malishevës i nënshtrohen procedurave të barabartë si të tjerët.

Në anën tjetër, Komuna e Lipjanit ka deklaruar se nga kjo komunë kanë deklaruar se kanë hapur 3 thirrje publike gjate vitit 2022, te drejte aplikimi kane pasur te gjitha OJQ-te vendore, por perfituesit e thirrjeve dhe aplikuesit kanë qenë të gjinisë mashkullore.

Sipas tyre, gjatë vitit 2022 janë përkrahur projektet të paraqitura ne DKRS, duke perfshire mbeshtetjen e ideve te grupit joformal te grave, OJQ lokale me tema te veçanta per avancimin e grave.

Nga kjo Komunë janë shprehur se buxheti është i përgjithshëm dhe jo i ndarë në specifika të veçanta për vitin 2023.

“Përfitues të thirrjes sportive për gjininë femrore gjatë vitit 2022 jane: Klubi i Gjimnastikes “Lipjani” në vlerë prej 1500 euro, Klubi i Hendbollit “Ulpiana” femrat, në vlerë prej 2500 euro, Klubi i Volejbollit “Ulpiana” femra, në vlerë 4000 euro. Jemi në procesin e thirrjes publike per vitin 2023, e cila ende nuk ka perfunduar”  – thuhet në përgjigjen e Komunës së Lipjanit.

“Është kod i veçantë në DKRS, si subvencionet, por nuk kemi ndarje ne kategori të veçanta. Kjo është e pamundur në planifikim dhe ndarje buxhetore, por planifikimi i shpenzimit është i ndarë dhe i paraparë të shpenzohet dhe një pjesë e buxhetit do tëe shpenzohet edhe për kategori të tilla nëse na paraqiten kërkesat me ide dhe projekte për avancim dhe avokim të të drejtave të grave”

Në anën tjetër, Komuna e Istogut ka deklaruar se kanë ndarë mjete financiare për klubet sportive të vajzave. 

Sipas tyre, klubi i Hendbollit është financuar në dy thirrje publike gjatë vitit 2022. 

“Në thirrje e parë është financuar 6,327.00 euro ndërsa në thirrjen e dytë, mbështetje në garat ndërkombëtare është mbështetur me 10,000 euro. Gjatë vitit 2023 jemi në procedurë të thirrjes publike për Klube dhe organizata joqeveritare.Poashtu Klubi I Futbollit të Femrave ‘’ ISTOGU’’ është mbështetur financiarisht me 1,356.00 euro në vitin 2022 me thirrje publike” – kanë thënë nga Zyra për Media.

Nga kjo komunë kanë deklaruar se Komuna e Istogut nuk ka shumë organizata joqeveritare aktive të cilat do i pamundësojnë mbështetje financiare grave/ vajzave, ndaj, shtojnë se dhe nuk e kanë parë të arsyeshme të bëjmë një ndarje të tillë. 

“Ndarja bëhet në bazë të meritave e punës, shembull konkret e kemi Klubin e Hendbollit të Femrave, KHF ISTOGU” – shprehen nga Komuna e Istogut.

“Në pajtim me procedurat e përcaktuara në Rregulloren e Ministrisë së Financave, Nr.04/2017 mbi Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Financimit Publik, janë përkrahur disa  OJQ, në mesin e të cilave edhe një OJQ e grave, e cila është përfituese e thirrjes publike në vlerë prej 1500 euro ( kjo OJQ i ka organizuar të gjitha aktivitetet për 16 ditë të aktivizmit kundër dhunës në familje, dhunës në baza gjinore konform projektit).” – shtojnë tutje.

Në përmbushje të ligjit për barazi gjinore, Agjencia Për Barazi Gjinore/Zyra e Kryeministrit në bashkëpunim ka hartuar Programin e Kosovës për Barazi Gjinore 2020- 2024 

Programi i Kosovës për Barazi Gjinore synon të sigurojë që barazia gjinore është në qendër të proceseve transformuese në Kosovë, është në kuadër të të gjitha strukturave, institucioneve, politikave, procedurave, praktikave dhe programeve të qeverisë, agjensive, shoqërisë civile, sektorit privat dhe komunitetit të donatorëve.

 

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.