Panairi i artizanaleve të punuara nga gratë llapjane/ Foto: Komuna e Podujevës, Facebook

OJQ-të dhe gratë përballë qasjes në trajnime 

Gratë – kryesisht nga zonat rurale, shtrojnë nevojën për trajnime të cilat do t’iu ndihmonin atyre për t’i përvetësuar më shumë aftësisë përmes të cilave ato mund të gjejnë punë apo edhe të vetëpunësohen që të bëhen të pavarura ekonomikisht.

Sipas një studimi të Agjencisë për Barazi Gjinore theksohet mes të tjerash edhe nevoja që të ketë trajnime për gra në fushën e menaxhmentit dhe lidershipit dhe në motivimin dhe nxitjen e grave për të synuar pozita vendimmarrëse.

Sadije Dulahu është drejtoreshë e organizatës “Lulishtja” në të cilën shumë gra kërkojnë që të trajnohen për të filluar bizneset e tyre.

Dulahu përmendet edhe një vështirësi të grave të zonave rurale që kanë dashur të marrin njohuri rreth temave që prekin të drejtat e tyre.

“Më herët kemi pasur (trajnime) për trashëgimi pronësore që edhe vazhdojmë sa herë kemi mundësi. E kemi tash për fillimin e bizneseve të reja sepse si të ngritura ekonomikisht edhe të drejtat gradualisht po i fitojnë” – thotë ajo.

“Në vitin 2018-2019 e kemi pasur shumë problem, ka qenë një organizatë për rimëkëmbje të bujqësisë, mirëpo ato që e kanë pasur te familja, në tokë të babës, kanë hequr shumë për me i marr grantet se nuk iu kanë besuar që prindi mundet me e leju vajzën me u marrë me atë veprimtari në pronë të atij” – tregon Dulahu.

Në Kosovë, sipas të dhënave të departamentit për OJQ-të në Ministrinë e Punëve të Brendshme, janë 12,433 organizata aktive – që përfshin shoqata, fondacione dhe institute.

Në mesin e këtyre OJQ-ve është edhe “Aureola” e cila udhëhiqet nga Sanije Grajçevci.

Në qëllimet e kësaj organizatë përfshihen fuqizimi ekonomik, arsimi, barazia gjinore dhe të drejtat e njeriut.

Për t’iu shërbyer këtyre qëllimeve kjo OJQ u ka mbajtur grave trajnime dhe kurse të kompjuterëve, gjuhës angleze, rrobaqepësisë dhe kurse për frizere gjersa ka bërë edhe ndarje të serrave për punë në bujqësi.

Grajçevci shpjegon se kurset i kanë mbajtur pa pagesë pasi që kanë qenë të mbuluara nga donatori ose projekti që e kanë fituar.

Trajnimet dhe kurset që mbanë një OJQ Grajçevci shpjegon se duhet të jenë të atilla që në të ardhmen t’iu shërbejnë grave për tu gjetur një vend pune apo edhe për tu vetëpunësuar.

“Unë mendoj që për trajnime dhe kurse ka për të pasur nevojë gjithmonë sepse sot ka kurse private që mbahen por jo të gjithë i kanë kushtet për të paguar kurse private. Mirëpo, gjithmonë duhet me pasë parasysh se nëse atë kurs nuk e shfrytëzon në jetë ajo është humbje. Domethënë nëse unë grave dua t’iu mbaj kurs për frizere për shembull, mua më duhet të mendoj se çfarë mund t’iu ndihmoj këtyre grave përmes këtij kursi”- thotë ajo.

Megjithatë, për të mbajtur trajnime dhe kurse të tilla kësaj OJQ-je i duhet të fitojë fonde, e Grajçevci pohon se kjo gjë nuk është edhe aq e lehtë.

“Ne patëm e s’patëm grante vazhdimisht luftojmë për të ardhura për ta vazhduar punën…. Nuk kemi fonde të rregullta kështu por herë pas here punojmë me ndonjë projekt dhe kontribuojmë”- shprehet Grajçevci.

“Kur kanë qenë OJQ-të ndërkombëtare ne kemi pasur përkrahje bukur të mirë dhe kemi punuar. Tash mundësitë i kemi pak më të vogla”-thotë ajo teksa thekson nevojën që shteti të kontribuojë më shumë për OJQ-të.

Një tjetër OJQ është edhe ‘Rikotta’, e cila ka rreth 5 vjet që ofron trajnime dhe përkrah arsimimin e grave në ndërtimin e kapacitetit të grave dhe të kompetencës në sferën e biznesit dhe të ndërmarrësisë. Po ashtu, kjo OJQ ka partneritet me ofruesit e programeve të trajnimeve dhe të arsimimit për gratë.

Pranvera Bullaku, drejtoreshë e Rikottës thotë se vetë OJQ-ja që ajo udhëheq ka filluar organizimin e trajnimeve duke parë rëndësinë e tyre.

“Përmes informimit dhe trajnimit ngritën kapacitetet e grave dhe vajzave në fuqizimin, inkurajimin e tyre për një rol aktiv. Pjesëmarrja e rritur e grave në vendimmarrje që i kontribuon proceseve pozitive transformuese për shoqëritë, siç janë ndryshimet e ligjeve, politikave, shërbimeve, institucioneve dhe normave shoqërore”-tregon Bullaku.

Për të drejtat e njeriut punon edhe organizata “Activism Roots” me seli në Gjakovë e fokusi i të cilës është aktivizmi qytetar në nivel lokal.

Ideal Zhaveli, drejtor Ekzekutiv i kësaj shoqate pranon se çdo trajnim që u mundësohet OJQ-ve është mirëseardhur.

“Sigurisht trajnimet që i kontribuojnë mirëqenies së organizatës për shkak se përmes ngritjes së kapaciteteve të secilit anëtar të organizatës, ngritë në të njëjtën kohë edhe kapacitetet dhe funksionimin aktiv të organizatës”-shprehet Zhaveli.

“Trajnimet i ndihmojnë secilës organizatë por edhe kjo duhet të jetë në koordinim me vetë ne për shkak se koha disa herë edhe nuk premton që anëtarët e stafit të jenë pjesë e tyre”-shton ai.

Njëjtë shprehet edhe Shefkije Mehmeti nga Qendra e Grave për Zhvillim Rural.

Mehmeti në një përgjigje për KALLXO.com ka shpjeguar rëndësinë e trajnimeve në punën e OJQ-ve.

“Veprimtaria jonë është e fokusuar në zhvillim rural, ruajtjen e trashëgimisë ruajtjen e shëndetit, ngritjen e vetëdijes së grave, zbatimin e ligjit në përpunimin e strategjisë, statusit edhe përgatitjen e projekteve. Kemi  pasur trajnime për ngritje e kapaciteteve, janë shumë të nevojshme për përgatitjen e propozim-projekteve dhe zbatimi e ligjeve si te ju qasemi” – ka thënë Mehmeti.

Në anën tjetër, aktivistja për të drejtat e grave, Nora Ahmetaj pohon se ka progres në fushën e trajnimit dhe vetëdijesimit të grave dhe vajzave.

Ne po merremi shumë me trajnime edhe të vajzave të reja edhe të adoleshenteve mirëpo edhe të grave që veç po janë të formuara dhe me moshë pak më të shtyrë dhe është mirë që po trajnohemi se me krahasu se ku kemi qenë është bo një hap shumë i madh”-thotë Ahmetaj për KALLXO.com.

Mirëpo, ajo nuk i mohon as sfidat sa i përket aftësimit të grave në zonat rurale si pasojë e fokusit vetëm në qendër dhe lënies anash të zonave rurale.

“Informata jepet kryesisht në Prishtinë dhe jo në zonat rurale edhe mundësitë janë kryesisht në Prishtinë dhe eventualisht në dy tri qendra më të mëdha. Informatën duhet me e bartë komplet si agjension prej Prishtinës deri në periferi ku ato gra janë absolutisht shumë të margjinalizuara dhe nuk kanë qasje as në informatë dhe as në trajnime”-shpjegon ajo.

Sipas Ahmetajt, edhe impakti i OJQ-ve është i kufizuar.

“Disa OJQ janë profilizu, janë të mira por shumë pak. Ato gjithmonë munden me ofru pak ma shumë sepse kanë qasje në informata dhe në financa por jo krejt OJQ-të”-shton ajo.

Nevojat, përparësitë dhe përvojat e të rinjve për trajnime nga OJQ-të

Avokimi për të drejtat e njeriut, shpalosja e halleve të komunitetit dhe kërkesa për zgjidhje e llogaridhënie mbesin pjesë e misioneve të përditshme të Qendrave Rinore komunale.

E tillë është edhe Qendra Rinore në Obiliq e cila që nga viti 2011 merret me çështjet që prekin rininë e vendit.

Zelushe Kelmendi, përfaqësuese e kësaj OJQ-je shpjegon për KALLXO.com se trajnimet janë ndër faktorët që ndikojnë në përmirësimin e punës  dhe njohurive të një OJQ-je.

“Sa i përket trajnimeve, ne si staf i OJQ kemi pasur rastin të jemi pjesë e shumë trajnimeve në të cilat janë me një numër shumë të madh…Çdo trajnim është i mirë sepse aftëson dhe rifreskon punën e OJQ-së”- thotë Klemendi.

Sipas saj, trajnimet për OJQ-të janë ndihmesë kur bie fjala edhe për ngritjen e kapaciteteve.

Përfituesve e përvojave dhe mësimeve të reja që ofrojnë trajnimet e OJQ-ve është Diellza Krasniqi nga Komuna e Lipjanit  e cila ka pesë vite që kur i është bashkangjitur rrjetit të organizatave, forumeve dhe konferencave të ndryshme.

“Trajnimet që janë mbajtur përmbanin interes dhe përfshirje në inkuadrimin e të rinjve për iniciativa në të drejtat e aktivizimit të njeriut, qasjet në teknologjinë informative, orientimi në karrierë dhe shumë tema tjera aktuale. Fushat që kam përcjellur kanë qenë gjithëpërfshirëse në masën më të madhe të kohës, e muajve të fundit jam bërë pjesë e trajnimeve dhe praktikës që e kam ndjekur në fushën e studimit rreth çështjeve mjedisore”- tregon ajo.

Krasniqi thotë se përparësi e të qenit pjesë e rrjetit të organizatave joqeveritare qëndron në atë të zgjerimit të rrjetit të njerëzve, mësimi i përvojave dhe eksperiencave të shumë individëve apo grupeve.

“Përfitimet përmes kësaj pjesëmarrjeje kanë rezultuar pozitivisht, duke arritur të zgjeroj informatat jashtë universitetit me edukim joformal. Kështu, duke zhvilluar dhe mësuar terminologji të reja, aftësi më të spikatura të shkrimit dhe komunikimit”-shpjegon ajo.

Një tjetër studente që zgjidhjen e ka gjetur te trajnimet si rrugë për të përvetësuar anën praktike të studimeve është edhe Ardiana Jashari nga komuna e Gjilanit e cila ka studiuar për gazetari.

Për Jasharin pasioni për punën në media është përvetësuar edhe më tepër kur trajnimet asaj i kanë mundësuar që të shohë nga afër shembujt e rregullave dhe etikës në raportim dhe hulumtime.

“Sa i përket fushave që i kam ndjekur, trajnimet kanë qenë të gjitha pothuajse në fushën e gazetarisë. Natyrisht që kam përfituar shumë nga këto trajnime si në aspektin e zgjerimit të njohurive në profesionin e gazetarisë, por edhe më ka ndihmuar të njoh profesionistë në fushën e mediave dhe të përfitoj shumë nga përvojat e tyre”- tregon Jashari për KALLXO.com

Marrëdhëniet e OJQ-së me institucionet publike, çka thotë ligji?

Organizatat jo-qeveritare në Kosovë janë të rregulluara përmes Ligjit Për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare.

Neni 13 i këtij ligji sqaron se marrëdhëniet e OJQ-së me institucionet publike.

Sipas këtij neni, OJQ ushtron veprimtarinë e saj në mënyrë të pavarur nga institucionet publike; Institucionet publike mbështesin dhe nxitin veprimtarinë e OJQ-ve; Institucionet publike trajtojnë OJQ-të me respekt të plotë, barazi dhe mos diskriminim; Institucionet publike krijojnë mjedis të përshtatshëm dhe zbatojnë praktika të mira ku OJQ mund të veproj në përputhje me objektivat dhe aktivitetet e saj; Institucionet publike mbrojnë OJQ-në nga ndërhyrja e palëve të treta; Institucionet publike nuk ndërhyjnë në të drejtat dhe liritë e OJQ-së dhe personave që

ushtrojnë të drejtën e tyre për lirinë e asociimit dhe po ashtu theksohet se Institucionet publike bëjnë publike të gjitha format e bashkëpunimit dhe përkrahjes së OJQ-ve. Mark Pjetraj nga Gjakova çdo ditë ballafaqohet me sfidat nëpër të cilat kalojnë personat e verbër, komunitet të cilit edhe ai vet i takon.

 

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.