Vajzat dominojnë drejtimet e inxhinierisë dhe shkencave kompjuterike në UP

“Një e ardhme e ndritur për Kosovën” është vlerësuar nga Universiteti i Prishtinës fakti që vajzat po dominojnë në drejtimet e inxhinierisë dhe shkencave kompjuterike në UP.

Në një komunikatë për media, UP thotë se trendi i rritjes së numrit të vajzave në drejtimet e shkencave dhe inxhinierisë kompjuterike në Universitetin e Prishtinës është, jo vetëm në rritje të vazhdueshme, por edhe në ngritje në vlera shumë substanciale, si gati në asnjë universitet tjetër.

UP-ja ka thënë se përqindja e vajzave që studiojnë shkencat kompjuterike kudo në botë është e vogël, por në Kosovë është në rritje.

“Në UP, në Departamentin e Shkencave Kompjuterike, 50.7% e studentëve janë vajza, ndërkaq në Departamentin e Inxhinierisë Kompjuterike, nga numri i përgjithshëm i studentëve në këtë departament, në vitin akademik 2021/2022, 55.9% e tyre janë femra. Vitin pararendës akademik, pra 2020/2021, ky numër ka qenë edhe më i lartë, në një përfaqësim total prej 61.8%”- thuhet në kumtesë.

Sipas UP-së, situata nuk ka qenë aspak e njëjtë 10 vjet më parë, pasi në vitin akademik 2012/2013, në Departamentin e Inxhinierisë Kompjuterike, vetëm 28.2% kanë qenë femra dhe, një vit më pas, më 2013/2014, kjo përqindje ka qenë edhe më e ulët, përkatësisht 26.8%.

“Vajzat në TIK po e tejkalojnë edhe mesataren e Bashkimit Evropian. Sipas statistikave aktuale, në këtë fushë, nga numri i përgjithshëm i studentëve, femra del të jenë vetëm 17% e tyre. Kjo është një dëshmi shtesë e përpjekjeve të UP-së dhe vendit për të inkurajuar dhe mbështetur vajzat dhe gratë në këtë fushë”- bëhet e ditur në njoftim.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi thotë se zhvillimi teknologjik është njëri ndër sektorët me të cilët mund të zhvillohet edhe shteti i Kosovës.

“Zhvillimi teknologjik është njëri ndër sektorët kryesorë, të cilët Kosova mund t’i zhvillojë, veçanërisht kur kemi parasysh që popullsia e re e është pasuria më e madhe e vendit. Kjo, kombinuar me talentet e jashtëzakonshme të të rinjve dhe me nevojat në rritje të tregut, ku numri i kompanive që ofrojnë shërbime nga fushat e shkencave kompjuterike është në rritje. Si rezultat, përqendrimi dhe mbështetja e këtyre drejtimeve mbetet një përparësi strategjike, të cilës do t’i kushtohet vëmendje dhe kujdes i veçantë”- thekson rektori Qerimi.

UP-ja thotë se mbetet e përkushtuar në mbështetjen e rritjes dhe zhvillimit të studentëve të saj, veçanërisht në fushën e TIK-ut.

Infografikë – UP