Shfaqja "Vajzat". FOTO: KALLXO.com

Shfaqja serbe në Kosovë i bashkon dy vendet në luftën e tyre kundër patriarkatit

Mbrëmjen e së enjtes në Kosovë u luajt shfaqja “Vajzat” nga Serbia në kuadër të festivalit ndërkombëtar të artisteve dhe aktivisteve “FemArt”.

Tetë aktore nga Serbia u ngjitën në skenën e Teatrit Dodona në Prishtinë për të prezantuar, shfaqjen “Vajzat” e cila nxirrte në pah sfidat e përditshme me të cilat përballen gratë për shkak të seksizmit në shoqërinë serbe.

Nëpërmjet një ndërthurjeje të elementeve komike dhe të dhimbshme, aktoret shprehën rebelimin e tyre ndaj mentalitetit patriarkal që pengon lirinë dhe sigurinë e vajzave në shoqëri.

Shfaqja “Vajzat”. FOTO: KALLXO.com
Shfaqja “Vajzat”. FOTO: KALLXO.com

Kjo shfaqje teatrale ishte pjesë e festivalit FemArt të organizuar nga qendra e artit dhe komunitetit Artpolis.

Këtë vit, nën moton “KALLE TUTËN”, festivali synon të shfaqë performanca që u japin zë grave, zërat e të cilëve shpesh nuk dëgjohen, si dhe vajzave që guxojnë të ëndërrojnë.

Shfaqja u përmbyll me vajzat që ngritën zërin për barazi dhe drejtësi në shoqëri, duke kërkuar t’i jepet fund seksizmit, mizogjinisë dhe femicidit.

Milena Minja Bogavac, regjisorja dhe dramaturgia e shfaqjes, shpjegoi se “Vajzat” portretizon përvojat e vajzave dhe grave të reja që janë rritur në Serbi.

“Besoj se kjo shfaqje ndodhet diku mes artit dhe aktivizmit, sepse mbart një mesazh shumë të rëndësishëm. Premiera u shfaq në fillim të nëntorit kur pamë shumë vajza që protestonin në rrugë. Ishte performanca e parë që në fakt i kërkoi këtij brezi të rejash të na tregonin se çfarë i shqetëson ato”- tha ajo.

Milena Minja Bogavac. FOTO: KALLXO.com

Bogavac theksoi rëndësinë e ardhjes së aktoreve serbe në Kosovë për të performuar, duke u shprehur se kjo ndihmon për të luftuar paragjykimet dhe urrejtjen mes dy vendeve.

“Beogradi është në një krizë të përhershme, por aktualisht është një moment veçanërisht i keq. Jam vërtet krenare për kolegët dhe aktoret e mia, të cilat, pavarësisht gjithçkaje, vendosën të marrin pjesë në festivalin FemArt për të takuar koleget tona feministe dhe aktiviste dhe për të eksploruar një qytet të ri që është edhe i afërt dhe i largët në të njëjtën kohë”, u shpreh Bogavac.

Ajo shpjegoi se si, për disa vite, gjenerata të ndryshme në Serbi janë rritur duke dëgjuar mite se Kosova është një vend i rrezikshëm dhe se si shqiptarët dhe Kosova janë armiq të serbëve.

Megjithatë, Bogavac theksoi se shumica e të rinjve serbë nuk kanë qenë kurrë në Kosovë.

“Unë besoj fuqishëm se kur njerëzit e njohin njëri-tjetrin, ata nuk mund ta urrejnë njëri-tjetrin. Të gjithë jemi viktima të manipulimit. Sa herë që ne pretendojmë se Kosova është një vend i frikshëm, bëhet e frikshme sepse kur i pengon njerëzit të komunikojnë, ata natyrisht kanë frikë nga njëri-tjetri”- shtoi ajo.

Nga ana tjetër, drejtoresha e Artpolis, Zana Hoxha, deklaroi se të drejtat e njeriut dhe shkeljet e tyre shpeshherë janë universale. Ajo theksoi se festivali FemArt e ekspozon publikun me kultura dhe perspektiva të ndryshme.

“Unë mendoj që njerëzit paragjykojnë më pak kur e njohin më mirë një gjë. Pra, ne mundohemi që njerëzit të afrohen, ekspozohen dhe bashkohen përmes informacioneve të ndryshme dhe ekspozimit të artit kryesisht feminist ose artit që trajton tema tjera lidhur me të drejtat e njeriut”-shpjegoi Hoxha.

“Pastaj është zgjedhje e tyre nëse dëshirojnë të ndërrojnë mendim”- shtoi ajo.

Zana Hoxha. FOTO: KALLXO.com

Hoxha gjithashtu shprehu admirimin e saj që kishte fituar për shfaqjen “Vajzat” gjatë vizitës së saj në Beograd, pasi përmbajtja e shfaqjes përputhej me moton e festivalit të këtij viti.

“Isha në Beograd disa muaj më parë dhe më pëlqeu vërtet ky shfaqje sepse rezonon me temën e këtij viti. Çdo vit kemi një ekip nga Serbia që merr pjesë në FemArt”-tha ajo.

Festivali “FemArt”, i cili do të zgjasë nga 15 deri më 21 maj, përfshin 28 ngjarje të planifikuara në Prishtinë dhe Mitrovicë. Gjatë festivalit të sivjetshëm do të performojnë rreth 200 artistë dhe aktivistë nga 15 vende të ndryshme nga mbarë bota.

Shfaqja “Vajzat”. FOTO: KALLXO.com