FOTO BIRN: ILUSTRIM

Mbrojtja kërkon hedhjen e aktakuzës për terrorizëm

Nasuf Hasani, mbrojtësi i të akuzuarit për terrorizëm, Rinor Dizdarit, i paraqiti gjykatës kundërshtimet për hedhjen e aktakuzës.

“Pasi që nuk janë përmbushur elementet e veprës penale, për të cilët i mbrojturi im akuzohet dhe se prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë me të cilën vërtetohet se i mbrojturi im ka qenë pjesë e luftërave të huaja, kërkojmë nga gjykata që akuzën ta hedhë poshtë si të pa bazuar në prova. Dhe se i mbrojturi im nuk ka qenë fare në Siri. Këtë e vërteton edhe deklarata e nënës së tij me të cilën ajo thotë se kur ka biseduar me Rinorin i njëjti ka qenë në Turqi”, tha avokati.

Kërkesën për hedhjen e aktakuzës e kundërshtoi prokurorja e rastit Habibe Salihi.

“E kundërshtojmë kërkesën për hedhjen e aktakuzës për shkak se ka prova të mjaftueshme të cilat e vërtetojnë se ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. Andaj i propozojmë gjykatës që kërkesën e mbrojtësit ta hedh poshtë”, tha prokurorja.

Rinor Dizdari, i akuzuar për pjesëmarrje në grupet terroriste “Ahrar-al-Sham” dhe “Tahrir al-Sham” në Siri, në shqyrtimin fillestar të aktakuzës ishte deklaruar i pafajshëm.

Sipas Aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Rinor Dizdari me vullnet dhe e vetëdije kishte planifikuar të udhëtonte në Siri dhe t’i bashkohej dy grupeve që veprojnë në Siri.

“Me vetëdëshirë ka dashtë të shkojë në Siri me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatave të quajtura “Ahrar-al-Sham” dhe “Tahrir al-Sham”, të cilat veprojnë në Siri dhe kanë themeluar në Siri ushtritë e veta dhe se qëllimi i tij (Rinor Dizdarit) ka qenë që të takohet edhe me dy persona, Egzon Iseni dhe Rone Eminin, të cilët në atë kohë gjendeshin në luftën e Sirisë”, thuhet në aktakuzë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Dizdari fillimisht kishte shkuar në Shkup prej nga edhe kishte fluturuar për në Stamboll dhe nga Stambolli udhëton për në Siri që t`i bashkëngjitet organizatave ushtarake në Siri, por pas arritjes Turqi, ka lëvizur nëpër territorin e Turqisë. Sipas kërkesës së autoriteteve kosovare, është nxënë nga autoritetet turke dhe është kthyer për në Kosovë. I akuzuari në shqyrtim fillestar kishte deklaruar se në Siri kishte shkuar për çështje humanitare.