Gjykimi ndaj të akuzuarit për përgatitjen e sulmit terrorist ndaj komunitetit LGBTI, i akuzuari jep mbrojtjen

Blend Vrajolli, i akuzuar nga Prokuroria Speciale për përgatitjen e sulmit terrorist ndaj komunitetit LGBTI, është ulur sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës për të dhënë mbrojtjen e tij.

Gjatë dhënies së mbrojtjes, ai u përgjigj në pyetjet e avokatit të tij, Arben Kelmendi, si dhe prokurorit të Shtetit Afrim Shefkiu.

Fillimisht, mbrojtësi i tij i parashtroi pyetje lidhur me deklaratën që Vrajolli kishte dhënë në polici sapo ishte arrestuar.

Në këtë kontekst, i akuzuari deklaroi se në polici kishte shpikur një pjesë të bisedës mes tij dhe Valon Latifit, ky i fundit ka dëshmuar paraprakisht në këtë gjykim.

“…më thanë se nëse bashkëpunon me ne të ofrojmë ndihmë dhe siguri… në ato momente nga padituria se po e inkriminoja veten e shpika se kinse e kam pyet Valonin a lejohet me e sulmu komunitetin LGBTI”- tha Vrajolli

Duke qenë se në aktakuzë thuhet se sulmin e ka përgatitur përmes materialeve vdekjeprurëse, i akuzuari duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit deklaroi se “as policia jonë e as policia franceze nuk kanë sekuestruar asgjë sa i përket këtyre produkteve sepse s`ka pas se çka me sekuestru”.

Tutje, pyetje i parashtroi prokurori Afrim Shefkiu.

Ky i fundit e ballafaqoi të akuzuarin me bisedat e nxjerra nga telefoni i të akuzuarit, mes tij dhe një personi me emrin “Muhaxher” ku i akuzuari e kishe pyetur se si të ndërtojë një bombë.

Lidhur me këtë, i akuzuari tha se e kishte pyetur thjeshtë nga kureshtja dhe pa asnjë qëllim konkret.

Duke qenë se akuza ka të bëjë me sulm ndaj komunitetit LGBTI, prokurori e pyeti Vrajollin edhe lidhur me mendimin e qëndrimin e tij ndaj këtij komuniteti.

“Nuk kam asnjë përshtypje, as mendim për asnjë komunitet në Kosovë dhe as për komunitetin LGBTI”- u përgjigj i akuzuari.

Ndërsa gjatë sekuestrimit i janë gjetur edhe materiale të tjera, foto e video që kanë përmbajtje të organizatës terroriste ISIS.

Sa i përket kësaj, i akuzuari u thirr në profesionin e tij si teknolog.

“Interneti që ne e shfrytëzojmë është maja e ajsbergut që ju e shihni ndërsa unë si një teknolog interesohem sa më shumë sa i përket ajsbergut… në atë zonë të internetit mundeni me gjete propaganda të llojllojshme”- tha i akuzuari.

Blend Vrajolli po akuzohet se ka bërë përgatitjen e sulmeve terroriste në Kosovë përmes materialeve të rrezikshme e vdekjeprurëse në kombinim me “Nitrat de Calcium” në sheshin e Prishtinës ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBTI si dhe në pikën kufitare në Merdarë.

Sipas aktakuzës, i njëjti me rastin e udhëtimit nga Arabia Saudite për në Kosovë përmes aeroportit të Shkupit, pasi ishte pjesë e Stop Listës ishte ndaluar dhe kontrolluar në pikën kufitare “Hani i Elezit”, me ç’rast i janë gjetur mesazhe dhe harta të pranuara përmes rrjetit social “Telegram”.

Vrajolli ishte arrestuar me datë 21 shkurt të këtij viti ndërkaq aktakuza e Prokurorisë Speciale ishte ngritur me 15 Shtator.

Këtë rast po e gjykon gjyqtarja e departamentit special Valbona Musliu Selimaj ndërkaq aktakuzën po e përfaqëson Prokurori Special Afrim Shefkiu.