Marsh Kundër Dhunës Ndaj Grave dhe Vajzave

“Sot fillojnë 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore dhe si pjesë të kësaj fushate ne kemi organizuar edhe marshin sot për të bërë thirrje që të luftojmë dhunën në baza gjinore respektivisht dhunën ndaj vajzave dhe grave pasi e dimë që ato janë më shumë viktima të dhunës me bazë gjinore,” tha Adelina Berisha, hulumtuese ne Rrjetin e Grupit të Grave të Kosovës.

Pjesëmarrësit në këtë marsh mbanin ҫadra, ҫanta dhe bluza të veshura me mbishkrimin “Orange the World”, për t’i dhënë fund dhunës kundër grave dhe vajzave. Ky marsh u nis nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te ndërtesa e qeverisë, në rrethojat e së cilës u vendosën disa letra me statistika për dhunën në familje dhe ngacmimin seksual të marra nga raportet hulumtuese të RRGGK-së dhe mendime të qytetarëve të Kosovës për dhunën ndaj grave dhe vajzave.

Pjesë e këtij marshi ishin edhe Atifete Jahjaga, ish-Presidente e Kosovës dhe pjesëtarë nga Agjensioni për Barazi Gjinore.

marshi-i-grave2

“Gratë në 68% të rasteve kanë përjetuar dhunë në familje ndërsa të njëjtat shifra janë edhe për ngacmimin seksual ku mbi 64% të grave dhe vajzave kanë përjetuar ngacmim seksual gjatë jetës së tyre, në të gjitha sferat e jetës, qoftë në punë, në rrugë, në shkollë, në universitete e kështu me radhë,” tha Adelina Berisha nga RRGGK.

Në mesin e shumë fletëve të vendosura në rrethojat e ndërtesës së qeverisë shkruhej “41% e grave dhe e vajzave të Kosovës kanë përjetuar dhunë në familje në vitin 2014” dhe “21% e kosovarëve mendojnë se “Ndonjëherë është OK që burri ta godas gruan e tij” statistika këto të nxjerra nga hulumtimi i RrGGK-së në vitin 2015.

Redaktoi: Përparim Isufi