Rasti i 13-vjeçares, në Prishtinë protestohet për sigurinë e vajzave dhe grave

Pas rastit që po dyshohet se para disa ditësh është dhunuar një 13-vjeçare në Drenas, nga dy të dyshuar të moshës madhore, në Prishtinë më 14.03.2024 u protestua për sigurinë e vajzave dhe grave në Kosovë.

Protesta është organizuar nga Kolektivi për Veprim dhe Mendim Feminist.

“Ne ju kemi thirrë sot në këtë protestë si akt denoncimi e proteste ndaj këtij patrarkaliteti që po na vjedhë lirinë duke na mbajtë në dhunë a frikë nga dhuna. Nuk ka paqe as kurrfarë drejtesie kur çdo ditë ndonjë gru në Kosovë rrihet, ngacmohet, dhunohet e dikur edhe vrahet” – tha Fjolla Muqaj nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist që ka organizuar protestën.

Ndërkaq, Erza Dubrova tha se ekzistojnë me qindra raste ku vajzat janë riviktimizuar, neglizhuar e dhunuar prej institucioneve, duke përfunduar si raste deri në vrasje.

“Raste të tjera si diskutimet e fundit për Kodin Civil e fertilizimin e asistuar, të cilët persona qe na qeverisin po prodhojne  urrejtje ndaj grave dhe kontrolle  e rritje te trupave tane. Andaj dhe jemi ketu per te denoncuar dhe kundershtuar kete dhune te institucionalizuar qe po na bshet te gjithe neve” – tha ajo.

Ditë më parë me 12.03.2024, ky kolektiv ka akuzuar Policinë për fshehje të rastit të 13-vjeçares.

“Katër ditë pas manifestimit të 8 Marsit, na u bë i ditur edhe një rast i përdhunimit. Dy burra grabitën një vajzë 13 vjeçare nga Malisheva dhe e përdhunuan në një shtëpi në Drenas. Dy burra përdhunuan, e policia u bë edhe një herë bashkëfajtore duke e fshehur krimin dhe duke mos e raportuar atë për publikun. Në raportin e saj 24 orësh, Policia e kishte cilësuar rastin si “person i zhdukur” duke mos treguar për aktin e përdhunimit apo faktin që bëhej fjalë për një fëmijë”- thuhej në komunikatën në të cilën u paralajmërua protesta që po mbahet sot.

Në anën tjetër, KALLXO.com ka mësuar nga burime brenda Policisë në Malishevë se fillimisht 13-vjeçarja ishte raportuar si person i zhdukur nga disa familjarë.

Viktima, e cila është nga regjioni i Pejës, në Malishevë kishte shkuar te disa të afërm, e më pas ishte raportuar si e zhdukur në Polici në këtë komunë.

Me të marrë informacionin njësitet policore nisën punën duke identifikuar fillimisht lokacionin ku ishte viktima.

Policia më pas ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarit e moshës madhore. Duke pasur parasysh se e mitura është nga regjioni i Pejës, tashmë kompetencën për të trajtuar këtë rast e ka Prokuroria dhe Policia atje.

Dy të dyshuarve për dhunimin u janë caktuar nga 30 ditë paraburgim nga Gjykata e Pejës më 12.03.2024.

Këtë për KALLXO.com e konfirmuan dy avokatët e caktuar sipas detyrës zyrtare të të dyshuarve L.F. dhe D.G.

Nga 30 ditë paraburgim për dy të dyshuarit për dhunimin e 13-vjeçares