Foto: RTV 21

Maqedonia në Listën ‘Non-Grata’ të Rusisë

Ministria e Jashtme ruse dje ka thirrur në takim diplomatët e 23 shteteve, mes të cilëve edhe ambasadorin e Maqedonisë në Rusi.

Ata kanë marrë notë proteste nga Federata Ruse si kundërpërgjigje për dëbimin e diplomatëve rusë nga shtetet e tyre.

“Atyre u është dorëzuar notë proteste dhe u është thënë se Federata Ruse i shpall persona të padëshiruar diplomatët përkatës nga këto shtete, të cilët punojnë me mision diplomatik në Rusi, si përgjigje e dëbimeve të pajustifikuara të diplomatëve rusë, mbi dëshmi të pabaza të Britanisë ndaj Rusisë lidhur me rastin Skripal”, nga Ministria e Punëve të Jashtme, shkruan tv21.tv.

Nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë zyrtarisht nuk pranuan të komentojnë masat e ndërmarra nga Rusia dhe as të tregojnë për numrin e diplomatëve të shpallur ‘non-grata’.

Megjithatë, burime diplomatike, na thanë se Maqedonia për momentin në Rusi ka vetëm një përfaqësues diplomatik dhe ai është ambasadori Goce Karajanov.

Siç mëson TV21 nga të njëjtat burime, Karajanov nuk do të dëbohet.

Megjithatë, ekziston mundësia që njërit nga dy personat e planifikuar, t’i propozohet që të mos shkojë për misionin e ri diplomatik të Maqedonisë në Moskë.

Nga ana tjetër, mësohet që një zyrtar nga Departamenti Amerikan i Shtetit ka i ka thënë korrespodentit të MIA-s, se Shtetet e Bashkuara se krenohen që Maqedonia është kyçur në aleancën e përbashkët ameriko-europiane kundër Rusisë për veprimet e saj të papërgjegjshme.

“Demonstruam qartë që solidarizohemi me Britaninë e Madhe dhe dërguam mesazh të qartë se me veprimin e saj të papërgjegjshëm, Rusia paguan shtrenjtë. Vazhdojmë të koordinohemi me partnerët dhe aleatët, ndërsa ata që ende nuk e kanë bërë këtë gjë, u japim kurajo të ndërmarrin masa që t’i dërgojnë Rusisë mesazh të ngjashëm”, tha një Zyrtar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

I pyetur nëse aleatët si SHBA-ja, Gjermania, Franca dhe Britania, i garantojnë Maqedonisë mbrojtje nga kërcënime ose sulme të mundshme nga Rusia në rast të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, zyrtari i Departamentit të Shtetit ka deklaruar se SHBA-të nuk do të spekulojnë mbi aksionet e ardhshme të aleatëve.

Ditë më parë, Maqedonia dëboi një diplomat rus duke u rreshtuar kështu në vendet që iu bashkuan aksionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë dhe dhjetëra vendeve europiane si përgjigje pas sulmit nervor në Solsber të Britanisë së Madhe.

Në total deri më tani janë dëbuar 139 diplomatë rusë nga shtete të ndryshme të botës.